Live Stories from Prishtina

LIVE

15 Tetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Njerëzit që hyjnë në jetën tonë, qoftë përkohësisht ose përgjithmonë, luajnë rolin e një pasqyre ose udhërrëfyesi për ne. Lidhjet me ta tregojnë mënyrën se si reflektojmë dhe rritemi ndërkohë.

Shtrohet pyetja: Çfarë nuk ka ndodhur për 24 orët e fundit në Kosovë?

Nga seanca e jashtëzakonshme për ushqimin e FSK-së, tek nënshkrimi i marrëveshjeve të reja në Procesin e Berlinit, te bisedat e përgjuara të Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, e deri te njoftimi nga Policia e Kosovës që tregon se një veturë e xhandarmërisë serbe ka shkelur vijën ndarëse kufitare në Merdar – kjo e hënë ishte një lëmsh i vërtetë!

Pas katër orësh diskutime, nuk arritën të hidhnin në votim rezolutën në lidhje me furnizimin me ushqim të ushtarëve, për shkak të mungesës së kuorumit, i cili nuk ishte i mundur për shkak të bojkotit të seancës nga deputetët e pushtetit. Deputetët opozitarë, në seancën e jashtëzakonshme të së hënës, kritikuan Qeverinë për trajtim të papërshtatshëm të ushtarëve dhe kërkuan zgjidhje të menjëhershme të problemit.

Opozita diskuton vetmevete?

Nëse ministri i mbrojtjes, Maqedonci, nuk mund të menaxhojë një kontratë për ushqimin, si do t’i menaxhojë kontratat për armatim?

Në Samitin e Berlinit, liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshje të reja për tregtinë e përbashkët rajonale dhe një marrëveshje për qasjen në arsimin e lartë.

Një proces kaq i rëndësishëm, shpresojmë të mos sjellë trazira me marrëveshjet e reja të nënshkruara.

Disa biseda të siguruara nga mediumi Nacionale shfaqin komunikimet mes Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit. Mihali në këto biseda tregon se si ka ndjekur me vëmendje skandalin për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në dallaveret me energji elektrike përmes kompanisë GEN, e cila ende mbetet vetëm një aktakuzë, teksa këto tema i diskuton me Krasniqin.

Ja disa fakte që nuk guxojnë të ndodhin:

A nuk duhet që kryeshefi i Korporatës Energjitike të KEK-ut, tri vite para se të zgjedhet për këtë pozitë, të mos jetë pjesë e asnjë partie?

Dejona Mihali – formalisht Koordinatorja e Komiteteve Profesionale në Vetëvendosje – nuk duhet të ketë komunikim me institucione të pavarura, e aq më pak nga një person si Mihali, i ndikuar nga pushteti.

Vetë komunikimi, pa marrë parasysh përmbajtjen, a nuk është ilegal bazuar në këto fakte?

Një veti e mirë që disa njerëz e posedojnë është kur e vënë re që ju jeni të stresuar dhe përpiqen që me gjeste të vogla t’ju ndriçojnë rrugën.