Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Tetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

I dashur lexues, më premto diçka. Periudhën tënde kur ndihesh jo produktiv, mos e konsidero si bllokim të kreativitetit. Merre si kohë për grumbullim të vizionit dhe inspirimit. A mund të fillosh t’i shohësh momentet e qetësisë, momentet kur nuk bën asgjë, si një pushim të nevojshëm para “korrjes”?

24 orët e fundit në Kosovë?

***

Çdo përgjim i nxjerrë së fundmi, “Kusari-Lila-Radoiqic” dhe “Dejona-Nagip Krasniqi”, u titullua si “luftë hibride” dhe fushata e disa mediave para fushatës, nga pushteti aktual. Por çka u tha mbrëmë në një intervistë në KTV nga shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila?

Ani pse u tha se deklaratat e saj ishin përgjigje të prera me qëllim, e njëjta kishte thënë se në bisedën e saj telefonike kishte folur shqip. Ndoshta “qenka e vështirë të dallohet kur dikush flet shqip dhe serbisht”, ose “ka qenë deklaratë e shpejtë dhe është ngatërruar”?

Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ka kërkuar nga prokuroria superekspertizë të audio-inçizimeve që kanë dalë nga komunikimet e saja me Slavko Simiqin. A ke dëshirë edhe ti, i dashur lexues, të dëgjosh origjinalitetin e audiove pastaj?

***

Nuk po e normalizoj faktin kur Vetëvendosje, si opozitë me protesta, “kallte” institucionet e vendit të vet, por në qoftë se një skandal si ky i ambalazhuesve do të ndodhte në kohë të qeverive të tjera, a e di bre çka kish bo Vetëvendosja?

Opozita paska kërkuar debat për faljen e borxheve të ambalazhuesve? Ku janë protestat kreative? Ku është kërkimi i llogarisë prej secilit deputet që ka marrë besimin e popullit kur janë votuar? Kurti thoshte se opozita si kjo i sheh si atraksion. Bajagi e vërtetë!

***

Një tjetër festival në skenën vendore të muzikës klasike ka nisur kapitullin e radhës. Hapësira është po e njëjta. Amfiteatri i Bibliotekës Universitare, tash e sa vjet, është adresë për këto ngjarje kulturore. Në skenën e Pri Vocal Fest, soprano Adelina Paloja, e përcjellur në piano nga Lirika Pula-Kasapolli, e kanë nisur koncertin me pjesët “Polyubila ya na pechal svoyu” dhe “Zdes khorosho” të kompozitorit rus Sergei Rachmaninoff. Kanë qenë melankolike dhe delikate, ashtu si edhe meloditë që sjell Pula-Kasapolli.

E kam një teori, i dashur lexues: Sa më shumë që të pëlqejnë detajet e vogla që të bëjnë ty kush je, aq më shumë do të rrethohesh me njerëz që të duan.