Dje n’Kosovë
24 Tetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Kanë kaluar disa muaj që prej kur çdo mëngjes e fillojmë së bashku, i dashur lexues. E sot ndoshta ke nevojë ta lexosh këtë: do t’ia dalësh mirë sot, shumë mirë madje. Mund të mos e shohësh, mund të mendosh se ishte thjesht një ditë tjetër, por nuk do të jetë. Çdo hap që do të marrësh sot është një hap përpara, pavarësisht se ku të çon. Mos harro, çdo detaj llogaritet!
***
Çfarë ndodhi në Kosovën tonë? Çfarë mendon secili prej qytetarëve tanë kur janë pjesë e çdo ngjarjeje, e kur progresi është shumë i vogël, shpesh i pavërejtshëm.
Çfarë ndodh me përditshmërinë e atij/asaj qytetari/e, që mëngjesin e kalon duke shprëndarë paratë te fëmijët për shpenzimet e ditës së sotme, e kur kjo ditë vjen në fund të muajit? Në anën tjetër, lehtësimi për problemet e tyre sikur është lënë anash për shkak të fushatave elektorale dhe politikave të jashtme.
Dilema e këtyre ditëve është: a do të ketë zgjidhje përmes dialogut Kosovë-Serbi për këta 3-4 muaj sa kanë mbetur deri në zgjedhje? Gjë që duket e pamundshme!
Ndoshta, cilado që të jetë marrëveshja që do të arrihet, do të trazojë ujërat, çka do të ishte e panevojshme në këtë kohë.
***
Çfarë është një skandal tjetër që po përflitet për një përndjekje të gazetarëve nga disa agjentë të AKI-së? A s’po ka kush përndjeket veç gazetarët, a?
***
Kur flasim për udhëheqje dhe qeverisje, të tregoj diçka që ndoshta nuk ju ka rënë në sy. Një pjesë shumë e dëshiruar nga qytetarët, tash e një kohë, janë shtëpizat e festivaleve “Verë n’dimër” dhe “Akull n’verë,” organizuar në dy stinë, verë dhe dimër. Meqenëse, sipas Komunës së Prishtinës, shtëpizat e këtyre festivaleve ishin vjetëruar dhe demoduar, dhe buxhet për blerjen e tyre nuk kishte, u vendos për dhënien në shfrytëzim të shtëpizave për operatorë privat.
Dje, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e shpalli të jashtëligjshëm vendimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për dhënien në shfrytëzim të shtëpizave në sheshin “Xhorxh Bush” një ndërmarrjeje komunale, duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm me legjislacionin në fuqi.
Kur Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës po numëron së prapthi orët deri në nisje të edicionit të dytë të tij, ngjarja veçse ka marrë formë. Si imazh dhe si përmbajtje. Të mërkurën janë bërë prova në skenë me solistët dhe orkestrën.
Hapësira është e njejtë si ajo në edicionin e cilësuar historik të Festivalit të Këngës në RTK. Skena dukshëm më e madhe sesa vjet.
***
Kjo ditë, ashtu kështu, përfundon, i dashur lexues. Beso në proces.