Live Stories from Prishtina

LIVE

18 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Të ekzistosh ashtu siç je;
Përqafo gjithçka që je tani dhe prano të gjitha gjërat që nuk je. Ti nuk ke asnjë detyrim të jesh dikush tjetër përveç vetvetes. Nuk ke detyrim të rindërtosh veten për këdo. Nuk ke detyrim të jesh ideali i dikujt tjetër për përsosmërinë.

***

Dita e djeshme ishte e hatashme, një lloj komiko-tragjedie. Ja çfarë e karakterizoi atë dhe çfarë kuptimi kishte për mua:

A po tenton qeveria të vendosë “dorën” mbi pushtetin?

Mandati i skadon të hënën, por dy-tre anëtarëve me mandat më të gjatë iu kujtua se duhej mbajtur një mbledhje për t’ia “ngrënë” ditën e fundit të mandatit dhe për të emëruar njërin prej tyre kryetar të ri të KPM-së.

Katër anëtarë të KPM-së votuan për ndryshimin e rregullores që duhej të udhëzonte punën e Komisionit të Pavarur të Mediave, në kundërshtim me Ligjin (ende në fuqi) të KPM-së.

Pse po shihet si “puç”?
Sepse nuk ka pasur kuorum ashtu-kështu.

Dhe sepse zgjedhja e Besnik Berishës për kryetar të KPM-së ngre pikëpyetje ligjore për mënyrën e ndryshimit të rregullores së KPM-së, e cila parasheh që kryetari i ri të zgjidhet në mbledhjen e parë pasi t’i ketë skaduar mandati ose të jetë shkarkuar kryetari aktual.

AGK-ja e sheh votimin e sotëm si përpjekje të hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së për interesa të partisë në pushtet, duke u bazuar në qëndrimet publike të iniciatorëve për ndryshimet e sotme.

Se e kujt ka qenë ideja për këtë veprim, bash në mes të fushatës zgjedhore, është vështirë të dihet, edhe pse të gjitha shigjetat drejtohen kah fakti që vendimi mund të ketë ardhur nga VV-ja. Kapje, se jo mahi!

Por kapja e KPM-së, në këtë rast, nis në një fazë kur KPM-ja nuk ka kuorum dhe nuk mund të marrë asnjë vendim meritor. Kjo situatë do të vazhdojë derisa të konstituohet Kuvendi dhe derisa të zgjidhen anëtarët e tjerë të KPM-së, sipas ligjit në fuqi.

Një gjë mund të them: nuk ka asnjë arsye për të mos inicuar procedurën për shkarkimin e tre anëtarëve të mbetur të KPM-së (të tre do jenë pas të martës).

***

Në një video të fushatës zgjedhore, ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se zbatimi i Ligjit të ri për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i paraparë të nisë sivjet, është shtyrë për vitin 2026. Sipas tij, krahas pronave të bizneseve, zbatimi i ligjit sivjet nuk do të vlejë as për pronat private të banimit.

***

E tash që të gjithë po e përmendin, po sugjerojmë edhe ne një libër që të gjithë duhet ta kenë:
“Reçak: historia e një krimi lufte”

Në 376 faqe, William Walker, që udhëhoqi Misionin Verifikues në Kosovë, përshkruan fëmijërinë dhe karrierën e tij. Kujtesën e tij e ka munduar më shumë për vitin 1998-1999, kur ishte i pranishëm në Kosovë. Për Masakrën e Reçakut shkruan në detaje. Vepra e tij vjen si dëshmi e dorës së parë nga njeriu që i tregoi botës për krimet kundër njerëzimit në Kosovë.

***

E shikon, diçka që nuk duhet ta harrosh kurrë është se versioni më i mirë i vetes është ai që nuk përpiqet të jetë diçka ose dikush tjetër. Versioni më i mirë i vetes është ai që të bën të ndihesh i plotë, i kompletuar, i kënaqur, vetëm duke ekzistuar.

Versioni më i mirë i vetes, je ti.