Dje n’Kosovë / foto: Uran Bajrami
19 Janar, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Lexoj këto fjalë sikur të ishte një postim që të kujton gjërat më të mira që ndodhin pa i vënë re:
Kur dikush të shikon me sy plot gëzim, perëndimi i diellit, kur dikush të bën dhuratë diçka që ti ke qejf, muzika, xhirot me makinë natën buzë detit ose rreth qytetit, aroma që lundron në kujtime… vetë jeta.
***
Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?
Përderisa premtimet në kohë fushate janë qiellore, disa prej tyre janë edhe bazike, por pavarësisht kohës që u japin premtimeve të tyre, ato nuk realizohen.
Për shembull, funksionalizimi i Nënstacionit Kastrioti në Ferizaj, nga ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, u premtua se do të bëhej më 15 janar dhe do t’i zgjidhte problemet me furnizimin me energji. Premtimi nuk u përmbush, nën arsyetimin e temperaturave të ulëta. Ndërkohë, qytetarët në Ferizaj vazhdojnë të përballen me problemet me rrymë.
***
Qytetarët e Prishtinës do të faturohen këtë muaj dy herë për grumbullimin e mbeturinave.
Kompania “Pastrimi” ka paralajmëruar se nga 1 janari ka filluar me inkasimin e faturave, gjë të cilën deri tani e ka bërë Komuna e Prishtinës.
“Faturimi dhe inkasimi i mbeturinave nga 1 janar 2018 e deri tani është bërë nga Komuna e Prishtinës, ndërsa nga data 1 janar 2025 do të bëhet nga Kompania Regjionale e Mbeturinave ‘Pastrimi’.”
Pse qytetarët ndodhen përballë një konfuzioni, kur vendimi vetë është marrë nga asambleistët?
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, e konsideron të paligjshëm vendimin e asamblesë komunale, duke thënë se kjo sjell dëme për kompaninë “Pastrimi”.
Kurse kompania “Pastrimi” insiston se kalimi i përgjegjësisë do të rrisë të hyrat dhe do të përmirësojë shërbimet.
“Pastrimi” pretendon se Komuna e Prishtinës i ka shkaktuar humbje prej 3.5 milionë eurosh në 2024, për shkak të mosregjistrimit të klientëve të rinj. Po ashtu, ka një mosmarrëveshje mbi tenderin për pesë operatorë privat, të cilin Komuna e ka vazhduar pavarësisht ndryshimeve të rregullores.
Ku mbeti motoja “Prishtina, qyteti më i pastër në rajon”?
***
Koncerti i parë i vitit nga Filharmonia e Kosovës nisi me një koncert nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe violinisten soliste Abigeila Voshtina.
Pjesët muzikore të interpretuara ishin Uvertura “Finlandia” e Jean Sibelius, “Koncert për violinë nr. 1” i Max Bruchit, luajtur nga Abigeila Voshtina, dhe “Ishulli i të vdekurve” i Sergei Rachmaninoffit.
Nëse pyetni për një përshkrim artistik, koncerti solli një rrëfim muzikor poetik mbi jetën dhe vdekjen, me emocione dhe piktura muzikore që pasqyronin madhështinë e veprave.
Ani pse kushtet e infrastrukturës janë zero; Salla e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve nuk ka kushte minimale për performanca të tilla. Publiku është shumë afër orkestrës (më pak se dy metra), duke mos pasur mundësi të shohë mirë performuesit, si dhe hyrje-daljet shpërqëndrojnë publikun.
***
Shumica e jetës vërtetë ka të bëjë me gjërat e vogla.
Një prerje e mirë flokësh, një listë këngësh e bukur, të provosh një recetë të re që del mirë, një poezi që të prek në shpirt, një vend i rehatshëm nën diell, mesazhe spontane, një stilolaps me të cilin të pëlqen të shkruash, çaj me temperaturën e duhur për të pirë, të blesh atë gjë që e ke parë prej kohësh, një shtrat i ngrohtë. Jam kaq mirënjohës për këto kënaqësi të vogla.