Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Tetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Ja çka m’ka mësuar jeta së fundmi: në një botë ku asgjë nuk është e përjetshme dhe asgjë nuk do ta kemi përgjithmonë; si emocionet ashtu edhe njerëzit, mësohu të gëzohesh për gjërat kalimtare!

Pagat në sektorin publik pritet të rriten vitin e ardhshëm për 55 euro në gjashtë muajt e parë për të arritur në 110 euro nga pjesa tjetër e vitit. Qeveria e parashikoi këtë vendim dikur rritur sasinë e koeficientëve dhe jo vlerën monetare të tyre. Sindikata dhe opozita po vlerësojnë se ky vendim është i jashtligjshëm.

Një kosto prej 120 milionë euro më shumë për vit me këtë rritje. Një truk magjik para zgjedhjeve a po? Shumë ndihmesë për këdo që merr ngritje, por sa është një vendim i tillë legjitim, kur sipas ligjit të pagave çdo ndryshim i tillë duhet të kalojë përmes amandamentimit të ligjit? Alarmimi i opozitës për këtë vendim, sado i drejtë ligjërisht të jetë, a po duket më shumë që burimin e ka shkaku i fushatës zgjedhore?

Që ky vendim të kalojë, fillimisht duhet të miratohet përmes parlamentit projekt-buxheti për vitin tjetër, e duke e ditur sa të “konsoliduar” janë 61 numrat për kalimin e projketligjeve, a mund ta merrni me mend si do të kalojë kjo e fundit?

A mos qeveria aktuale duke ditur që nuk mund te sigurojë numrat duke marrë parasysh edhe daljet e fundit nga partia vetë në pushtet, po përdorë këtë kartë “për të nxjerrë në pah gadishmërinë e opozitës për të mirën e sektorit publik”?

E krejt në fund për këtë temë, sa ka ndikim në fuqinë blerëse kjo rritje e koeficientit?

***

Kontratat kolektive? Bllokimi i xhirollogarive të katër komunave: Deçani, Rahoveci, Vitja dhe Rahoveci? A vjen kjo nga shfrytëzimi i mjeteve për investime kapitale në 100%? Bllokimi a vjen nga përmbarues apo nga qeveria?

***

Asociacioni i ofruar nga dikush tjetër përveç komunave do të ishte imponim, tha Kurti dje, për dallim nga 1 vit e gjysëm më parë kur u vetofrua që të hartojë statusin e asociacionit.

***

Elbenita Kajtazi u ngjit në skenën e madhe të operës, si Mimì dhe Saimir Pirgu si Rodolfo në premierën e “La Bohème”, në Operën Shtetërore të Vjenës, të hënën e 28 tetorit. Emocionet e kësaj performance i kishte ëndërruar që moti artistja.

I dashur lexues, pse mbahemi pas gjërave që nuk na duan mbrapsht!