Bota
10 Korrik, 2026
Shumicën e kohës, kur dëgjojmë se dikush ka blerë mijëra hektarë tokë, mendojmë për resorte, miniera, ferma industriale apo projekte gjigante ndërtimi. Toka është një nga investimet më fitimprurëse në botë dhe, zakonisht, blihet për t’u shfrytëzuar.
Por herë pas here shfaqen njerëz që e përmbysin këtë logjikë.
Njerëz që përdorin pasurinë jo për të marrë më shumë nga natyra, por për t’i lënë asaj më shumë hapësirë, që blejnë pyje, lugina e male jo për t’i zhvilluar, por për t’i mbrojtur, që e shohin pronësinë jo si një mjet përfitimi, por si një përgjegjësi.
Doug Tompkins ishte një prej tyre
Tompkins, i cili e kishte braktisur shkollën e mesme, ndërtoi një pasuri të madhe duke themeluar markat e veshjeve The North Face dhe Esprit. Më pas, ai përdori këtë pasuri për të ruajtur miliona hektarë tokë në Patagoni. Ai ndërroi jetë në vitin 2015 në Kili, në moshën 72-vjeçare.
Sipas një deklarate të Marinës Kiliane, Tompkins ishte pjesë e një grupi prej gjashtë personash, ku përfshiheshin edhe dy nga miqtë e tij më të afërt: Yvon Chouinard, alpinist dhe themelues i kompanisë së veshjeve Patagonia, si dhe Rick Ridgeway, i cili në vitin 1978 mori pjesë në ngjitjen e parë amerikane në malin K2, malin e dytë më të lartë në botë. Grupi po lundronte me kajak në Liqenin General Carrera, në jug të Kilit, kur erërat shumë të forta dhe dallgët e mëdha bënë që njëri prej kajakëve, ku ndodheshin Tompkins dhe Ridgeway, të përmbysej.
Rrjedha e saktë e ngjarjeve që çoi në aksident mbetet ende e paqartë. Sipas prokurorit kilian Pedro Salgado, Tompkins qëndroi për një kohë të konsiderueshme në ujë me temperaturë nën 4°C. Ai vdiq si pasojë e hipotermisë së rëndë në spitalin rajonal të Coyhaique, të gjithë pjesëtarët e tjerë të grupit mbijetuan.
Lajmi për vdekjen e Tompkins u përhap me shpejtësi në industrinë e aktiviteteve në natyrë, një industri që ai kishte ndihmuar ta krijonte që në mesin e viteve 1960.
“Ai e shndërroi suksesin e tij në botën e biznesit në diçka shumë më të madhe. Në vend që të jetonte një jetë luksoze dhe të qetë, ai përdori pasurinë e tij për të bërë diçka të mirë për botën. Ai dhe Kris kanë mbrojtur më shumë tokë se kushdo tjetër në histori”, tha fotografi dhe regjisori Jimmy Chin
Tompkins dhe bashkëshortja e tij, Kristine, blenë miliona hektarë tokë në Kili me qëllim që t’i ruanin përgjithmonë, përfshirë edhe zonën Valle Chacabuco.
Në vitin 2007, Jimmy Chin kaloi afro dy muaj në Patagoni me Tompkins, Chouinard dhe Ridgeway duke punuar në filmin dokumentar 180 Degrees South, i cili rikrijon ekspeditën legjendare “Fun Hog” të vitit 1968. Gjatë asaj ekspedite, Tompkins, Chouinard dhe dy miq të tjerë udhëtuan me makinë nga Ventura, në Kaliforni, deri në skajin më jugor të Tierra del Fuego, duke u marrë me alpinizëm, sërf dhe ski gjatë rrugës.
Ideja për këtë udhëtim ishte e Tompkins, ai e kishte bindur Chouinard të bashkohej me premtimin se, pasi të mbërrinin në Patagoni, do të realizonin ngjitjen e parë në një rrugë të re në malin Fitz Roy, malin më të famshëm të rajonit.
Dy muaj pasi u nisën nga shtëpia, ekipi ndërtoi një shpellë bore poshtë malit, ku kaloi 35 ditë duke pritur që moti famëkeq i Patagonisë të përmirësohej. Kur më në fund retë u shpërndanë, ata u ngjitën me shpejtësi dhe realizuan një ngjitje historike, e cila sot njihet si “Rruga Kaliforniane” (The California Route).
Si Tompkins, ashtu edhe Chouinard u dashuruan me natyrën e egër që zbuluan në Patagoni dhe ekspedita Fun Hog ndryshoi rrjedhën e jetës së tyre.
Sot, logoja e kompanisë Patagonia paraqet siluetën e masivit malor Fitz Roy.
Edhe shumë kohë pasi kishte fituar pasurinë e tij në botën e biznesit, Doug Tompkins vazhdoi të merrej me alpinizëm dhe të realizonte ngjitje të para në maja të panjitura më parë, përfshirë Cerro Barros Arana në Patagoni, në janar të vitit 1998.
Katër dekada më vonë, Tompkins do t’i udhëhiqte Chin, Chouinard dhe Ridgeway në një tjetër aventurë epike në Patagoni, por kësaj radhe brenda një parku prej rreth 800.000 hektarësh, të cilin ai e kishte krijuar gjatë viteve 1990 duke blerë disa ferma që përfshinin rreth 1.200 milje katrore natyrë të paprekur.
Disa nga majat e Andeve brenda parkut nuk ishin ngjitur kurrë më parë. Tompkins udhëhoqi ekipin në një ngjitje të parë, të cilën më vonë e quajtën Cerro Kristina, në nder të bashkëshortes së tij të dytë, Kris. Ajo kishte qenë ish-drejtoreshë ekzekutive e kompanisë Patagonia dhe për më shumë se 20 vjet kishte qenë partnerja e tij në përpjekjet për ruajtjen e natyrës në Patagoni.

