Rreth e Rrotull
13 Korrik, 2026
Shpesh dëgjojmë këshillën se ngrënia e vakteve të vogla çdo dy ose tre orë e “zgjon” metabolizmin dhe ndihmon trupin të djegë më shumë kalori, megjithatë, ekspertët thonë se kjo është pjesërisht e vërtetë.
Sipas James Betts, profesor i fiziologjisë metabolike në Universitetin e Bath, kur njerëzit flasin për metabolizmin, në fakt i referohen shkallës metabolike sasisë së energjisë që trupi shpenzon gjatë një periudhe të caktuar. Kjo përcaktohet kryesisht nga faktorë si mosha, gjinia, pesha, përmasat e trupit dhe përbërja muskulore.
Trupi ynë shpenzon energji në tri mënyra kryesore: për të mbajtur në funksion organet dhe indet edhe kur jemi në pushim, për të tretur ushqimin dhe gjatë aktivitetit fizik. Nga këto, aktiviteti fizik është elementi që ndryshon më shumë dhe që ka ndikimin më të madh në sasinë e kalorive që djegim çdo ditë.
“Kur njerëzit thonë se duan ta përshpejtojnë metabolizmin, në të vërtetë duan të djegin më shumë energji. Por metabolizmi bazë është mjaft i parashikueshëm dhe mund të vlerësohet me saktësi duke u bazuar në peshën, moshën dhe gjininë e një personi,” shpjegon Betts.
Po ngrënia e shpeshtë? Edhe tretja e ushqimit kërkon energji, ky proces, i njohur si efekti termik i ushqimit, bën që rreth 10 për qind e kalorive të marra të përdoren gjatë përtypjes, tretjes dhe përthithjes së lëndëve ushqyese.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se konsumimi i vakteve të vogla gjatë gjithë ditës e shpejton metabolizmin.
Është si të paguani “taksë” për ushqimin, nga 100 kalori që konsumoni, trupi përdor rreth 10 për t’i tretur dhe përpunuar, kështu që në fund përfiton afërsisht 90 kalori.
Pra, edhe pse ngrënia kërkon një sasi të vogël energjie, kjo nuk mjafton për të kompensuar kaloritë që merrni nga ushqimi.
Nëse synimi është të digjni më shumë kalori gjatë ditës, ekspertët thonë se ekziston një mënyrë shumë më efektive sesa ngrënia e shpeshtë, të lëvizni më shumë.
Aktiviteti fizik mbetet faktori që ndikon më së shumti në rritjen e shpenzimit të energjisë dhe është strategjia më efikase për ata që synojnë të humbin peshë ose të mbajnë trupin në formë.

