Live Stories from Prishtina

LIVE

April 24, 2024

Kur sezona e verës është shumë e nxehtë, padyshim se na duket më e gjatë se zakonisht. Për t’i kaluar muajt më të nxehtë të vitit duke qetësuar mendjen dhe shpirtin tonë, ju mund t’i kaloni pushimet duke lexuar diçka të këndshme pranë liqenit apo detit dhe ta përshtatni librin tuaj me natyrën që iu rrethon.

Zakonisht librat me një histori, të mbushura me ngjarje mund t’iu ndihmojnë ta gjeni realitetin tuaj apo mund t’iu lidh me diçka që ju e keni përjetuar më herët.

Nëse doni një libër nga i cili nuk do të mërziteni asnjëherë dhe do të jeni gjithmonë në pritje se çfarë do të ndodh më pas, ne ju prezantojmë:

Pride and Prejudice, nga Jane Austen

Ka kaluar një kohë e gjatë që kur nuk e kam lexuar prapë këtë libër, dikur e lexoja së paku një herë në vit dhe çdo vit e ndjeja si ta lexoja për herë të parë. Historia e vazhdueshme e Elizabeth dhe Zotit Darcy, të lejon të duash një vazhdim të mëtejshëm të romancës së tyre, e cila nuk u kurorëzua deri në fund. Ju mund të përfitoni shumë nga ky libër, pasi që në momentin kur jeni duke u kënaqur më së shumti me leximin, njëkohësisht do të merrni edhe mësimet më të mëdha të jetës. Libri vë në pah pasojat e gjykimeve të nxitura dhe dallimi midis mirësisë sipërfaqësore dhe asaj aktuale.

Çdo gjë fillon me historinë e familjes Bennet, e cila pas vdekjes së babait, nëna detyron pesë vajzat e saj të gjejnë parterë të pasur të cilët do të ndihmonin gjendjen e tyre ekonomike dhe financiare. Paragjykimi i Z.Darcy për shfaqjen e jashtme të Elizabeth në një ballo, inatos këtë të fundit, duke e shtyrë drejt konflikteve të vazhdueshme me ballafaqime të tensionuara dhe mohimit të dashurisë që ndjen për të. Të rrethuar nga persona të ndryshëm, Darcy dhe Elizabeth, bien pre e shumë thashethemeve të cilat e pengojnë vazhdimin e romancës së tyre.

Çfarë i intrigon njerëzit që ta lexojnë Pride and Prejudice? Libri starton me thënien “Është një e vërtetë që dihet botërisht, se një mashkull i cili ka mjaftueshëm pasuri, duhet të jetë në kërkim të një gruaje”. Ishte kjo thënie, me të cilën shumë lexues nuk u pajtuan dhe dëshironin të dinin fundin e kësaj historie.

Pride and Prejudice është shfaqur vazhdimisht në krye të listës së “librave më të dashur”, mes studiuesve të letërsisë dhe publikut lexues. Romani është bërë një nga veprat më të njohura në letërsinë angleze, me mbi 20 milionë kopje të shitura, i cili ka frymëzuar shumë zhanre në letërsinë moderne. Për më shumë se një shekull, përshtatjet dramatike, ribotimet, filmat dhe versionet televizive të Pride and Prejudice kanë portretizuar personazhet dhe temat e paharrueshme të romanit, duke arritur audiencën masive.

Shumë kritikë janë ndalur në analizën vetëm tek titulli i librit “Krenaria dhe Paragjykimi”, i cili fillimisht të nxit të mendosh se flitet vetëm për këto dy dukuri, teksa autorja e vendosi këtë titull duke i bazuar në karakteret e personazheve. Cilësitë e titullit nuk i janë caktuar ekskluzivisht njërit apo të tjerët nga protagonistët; të dy rolet kryesore Elizabeth ashtu edhe Darcy shfaqin krenari dhe paragjykim. Fraza “krenaria dhe paragjykimi” janë përdorur edhe gjatë dy shekujve të mëparshëm nga autor Joseph Hall, Jeremy Taylor, Joseph Addison dhe Samuel Johnson, teksa thuhet se autorja Jane Austen u inspirua për titullin e saj nga novela Cecilia, e Fanny Burney (1782), një roman popullor që ajo dihet se e ka admiruar gjithmonë.

Ndër të tjera, libri shfaqë rëndësinë e mjedisit dhe edukimit në zhvillimin e karakterit dhe moralit të të rinjve. Pozicioni shoqëror dhe pasuria nuk janë domosdoshmërisht avantazhe në botën e autores, dukuri e cila reflektohet edhe nga libri.

“Pride and Prejudice” është një libër sfidues, i cili të hap shumë horizonte dhe njëkohësisht të mbyll shumë dyer, e shpeshherë mund të ta dhurojë ndjenjën se nuk mund të bëjmë dallimin në mes të asaj që është e vërtetë dhe paragjykimit tonë. Mirëpo, ju mund ta konsideroni si një dritare që ju ndihmon të mos merrni veprime me nxitim.