Live Stories from Prishtina

LIVE

August 10, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Imagjinata dhe shpresa jonë bëhen realitet nëse kemi guximin të besojmë dhe të ndërmarrim veprime për t’i realizuar ato.

Edhe Farija Mehmeti, ëndërronte të bëhej dizajnere dhe të qepte, mirëpo fëmijëria e saj e pamundësoi një gjë të tillë. Sot ajo po e jeton ëndrrën e saj duke u bërë shpresë për të gjithë të tjerët që ëndërrojnë njësoj.

Por, si ndodhi një histori e tillë?

Zonja Farije u rrit në Kosovë dhe përfundoi shkollën në Kosovë, por gjithmonë luftoi me realitetin që ajo nuk lejoi të mbetet i tillë gjithmonë.

Po flasim për diskriminimin që hasin familjet rome në shumë fusha. Si rrjedhojë, Farija nuk deshi që të qëndronte e shtypur dhe të lejonte talentin e saj të tretet së bashku me faktin e mungesës së hapësirës që kishte në institucionet publike. Ajo posedonte një talent dhe kjo do të vihej në pah një ditë, sigurisht me shumë punë.

Farija u rrit në një familje ku piktura kishte rrënjët e saj. Madje, ajo talentin e kishte trashëguar nga vëllai Bajram Mehmeti dhe çdo aftësi që posedon i falënderohet atij, duke potencuar interesimin që ka treguar ai ndaj saj.

Në anën tjetër Bajrami, i cili përmes pikturës shfaqte gjithmonë sakrificat, jetën dhe situatën në të cilën kalonin romët, e motivoi Farijen që edhe ajo të fillonte pikturën. Me këtë rast, ajo shfaqte talentin e saj dhe njëkohësisht kontribuonte diçka për komunitetin e saj.

Në një intervistë të saj, ajo është përgjigjur si në vijim: “Mbaj mend që kur isha fëmijë në shkollën fillore në Lepinë, mësuesit nuk na jepnin kurrë një notë më të lartë. Nota më e lartë që morëm unë dhe vëllai im ishte 3 dhe që në fëmijërinë e hershme si vëllai im, ashtu dhe unë treguam aftësi të mahnitshme në pikturë. Edhe fëmijët e tjerë të klasës tonë na kërkonin ndihmë gjatë orës së artit. Si fëmijë, ishim gjithmonë të ulur në pjesën e pasme të klasës dhe atëherë nuk e kuptoja se ky ishte një lloj diskriminimi, por tani kur e mendoj e kuptoj se ishte. Më kujtohet shumë mirë që ne duhej të studionim shumë më tepër se bashkëmoshatarët tanë dhe notat që merrnim ishin gjithmonë 2 ose 3, ndërsa bashkëmoshatarët tanë nuk duhej as të studionin aq shumë, pasi që ata merrnin nota më të mira”.

 

Përkundër vështirësive, ajo gjen kohën dhe guximin t’i shprehë ndjenjat e saj përmes pikturës, teksa bekimin e gjen tek Bajrami (vëllai).

Ku po promovohet talenti i Farijes sot?

Siç e kemi përmendur në artikullin e mëparshëm, Manifesta Biennale e cila këtë vit po mbahet në Prishtinë, ka mbledhur artistë të veçantë vendor dhe ndërkombëtar për të shfaqur krijimet e tyre, të cilat mund t’i gjeni në pjesët kryesore të kryeqytetit, ku edhe ne ishim të pranishëm për të ndjerë për së afërmi veprat dhe ekspozitat e tyre.

Edhe Farija gjendet në mesin e këtyre artistëve të veçantë dhe veprat e saj mund t’i gjeni në Bibliotekën Kombëtare.

Me cilat vepra po promovohet Farija?

Projekti “Libraria RomaMoMA me Daniel Baker dhe Farija Mehmeti”, bashkon pikturat e Farija Mehmetit dhe Bibliotekën RomaMoMA në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Biblioteka RomaMoMA u krijua në vitin 2021 për të përkujtuar 50 vjetorin e Kongresit të Parë Botëror të Romëve. I përbërë nga 150 libra mbi trashëgiminë letrare, artistike dhe kulturore bashkëkohore rome, koleksioni shfaqë trashëgiminë e pasur rome, ndërsa kritikon përmes tyre dhunën dhe shtypjen me të cilën përballen romët në Evropë.

Me këtë rast, shfaqet edhe ekspozita e 39 portreteve të piktores kosovare Farija Mehmeti. Mehmeti shfaqë një mozaik të shumanshëm të personazheve imagjinarë për të nderuar heroizmin dhe luftën e përditshme për ekzistencë të grave të zakonshme rome. Portretizimet e grave rome kanë një detaj që të bënë ta kuptosh mesazhin dhe lidhjen emocionale që Farija përcjellë përmes tyre.

Çdo grua portretizon manifestimin e emocioneve të Farijas, dëshirën për të larguar idenë për martesat e hershme në komunitetin e saj, harmonin mes etnive, shkollimin e fëmijëve romë si dhe mirëkuptimin me njëri-tjetrin. Portretet shfaqen me një “shami” tradicionale rome, që zakonisht gratë e vendosin në përditshmëri, me anë të së cilës u rikujton njerëzve që të mos harrojnë kulturën rome dhe njëkohësisht kombinon ëndrrën e saj si dizajnere duke pikturuar këto shami të larmishme.

Në përshkrimin e këtyre heronjve të përditshëm, Farija kultivon ndjenjën e historive të së kaluarës, si dhe një largpamësi për të ardhmen. Portretet e saj janë mjete për të kujtuar dhe zbuluar format e ndrydhura të njohurive rome, si ato mbi strategjitë për shëndetin riprodhues, ruajtjen e shëndetit mendor dhe praktikat shëruese në përgjithësi, si dhe padyshim urtësinë rome mbi natyrën dhe kozmosin.

Si kujtime dhe përvojë e mishëruar, portretet shërbejnë edhe si kujtesë për të moshuarit e komunitetit që t’i mbajnë ato dhe t’ua përcjellin brezave të ardhshëm.

Gjatë 3 muajve me radhë, juve ju ofrohet diçka e re për të vizituar në Prishtinë – një ekspozitë që përcjellë emocion, e mbi të gjitha dashuri për të gjithë njerëzit.