Live Stories from Prishtina

LIVE

3 Shtator, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Kur ndihesh keq që po ndjen mërzi, vetëm kujtoja vetes që natyra, lotët e saj i mbështetë me vetëtimë. Me pak fjalë lejoja vetes që t’i ndjesh emocionet e tua pa i bllokuar me mashtrimin e mohimit.

Në një të hënë të parë të shtatorit është e vështirë të grumbullosh mendime kur nuk ke diçka të re, përveç se një Prishtinë të rititulluar “Texas”, raste që po na përcjellin si një re e zezë. E sa për zhvillime politike: problemi i njëjtë, ditë tjetër.

***
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, edhe njëherë ka shtuar se veprimet e qeverisë së Kosovës kanë kapacitet të rrisin tensionet dhe të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm në veri ku dhe është kërkuar që këto tema të trajtohen në fazat tjera të dialogut. Të them të drejtën sot e asaj dite nuk e kam të qartë për çfarë është e nuk është dialogu?! Ideja është që procesi i dialogut ka për qëllim normalizimin e raporteve me Serbinë, në mënyrë që Kosova të ecë përpara në integrimet evropiane dhe në organizatat ndërkombëtare a po? Ndërkohë që të normalizohen raportet ndëretnike edhe brenda Kosovës. Pse faktorët e jashtëm dialogun e shohin si “problemin e Kosovës” apo për “çështjen e Kosovës”, duke krijuar përshtypjen se Kosova nuk ka status dhe se ai mund të zgjidhet vetëm kur me një gjë të tillë të pajtohen ndërkombëtarët dhe Serbia. Pse gjatë tërë kësaj kohe dialogun shoqëria në Kosovë e ka parë si humbje kur ka bërë kompromise që në kushtet normale nuk do t’i bënte një shtet i pavarur?

***

Në anën tjetër ambasadori gjerman i ka thënë shefit të ri zyrës së BE-së për Kosovë, që mezi po presin ta bëjnë Kosovën një histori suksesi. A mundemi vallë veç me i shti në vijë institucionet tona, me marrë vendime që i dërgojmë në zbatim se nuk e kemi shumë dertin me na u përmend emri?

***
Dje ka fillu edhe viti i ri shkollor. Ndërsa ende nuk është bërë subvencionimi i të gjithë prindërve për fëmijët e tyre, a e dini sa ndjenjë e keqe është kur ti si nxënës nuk i ke të gjitha librat para klasës? Po në anën tjetër edhe pse kanë kalu vite qysh ndodh e ende është i njëjti sistem si para 15-10 viteve, e ende për një lëndë shkollat e ndryshme mësojnë me libra të ndryshëm për lëndën e njëjtë?.

***
Për dy ditë radhazi është mbajtur Ulpiana Fest. Festival që për dy ditë feston trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore, ku historinë e lashtë të Ulpianës e bën të përjetohet përmes shijeve autentike, aktiviteteve të lashta rekreative dhe tregimeve që ringjallen në skenë nëpërmjet shfaqjeve teatrale

***
Lexues mëngjeset fillojnë ashtu si ti vendos. Por, jeta shpesh nuk na trajton siç duam dhe meritojmë por është në dorën tënde t’i japësh drejtimin asaj brenda ditës. <3