Live Stories from Prishtina

LIVE

February 21, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

Dinamikat e përditshme jetësore, shpejtësia dhe ngarkesa e madhe, na kanë bërë që shpesh të mos gjejmë mundësinë të bëjmë kombinimin e përkryer në veshjet tona të përditshme.

Nuk i përshtatemi kohës, na humb sensi i përdorimit të ngjyrave, nuk dimë të bëjmë dallimin mes rrobave më zyrtare dhe atyre të përditshme dhe shpesh kemi dëshirë të veshim vetëm diçka që na bënë të ndihemi rehat, pa e vrarë mendjen për modën.

Koleksioni i fundit i vjeshtës nga brendi “The Row”, ka sjellë një koleksion “të paqartë”, për të gjitha femrat që zgjohen me dilemën se çfarë kam për të veshur këtë mëngjes. Kur themi “të paqartë”, e kemi fjalën për kombinimet e momentit, kombinimin e rrobave “oversized”, me ato të ngushta dhe të drejta, kombinimi i çfarëdo lloji të kostumeve “The Row” me atlete, kombinimi i trikove oversized me funde të gjata, kombinimi i veshjeve sportive me kostume, e shumë kombinime të tjera, që do t’iu bëjnë të dukeni me stil, do t’iu harxhojnë pak kohë për t’u menduar dhe njëkohësisht do t’iu bëjnë të ndiheni rehat.

Ajo çfarë vihet re këtë sezon janë paletat e përdorura. Koleksioni hapet me ngjyrën kafe dhe mbyllet me ngjyrën e gjelbër, teksa diku shihni një përzierje më të gjallë mes të vjollcës dhe portokallisë. Përdorimi i këtyre ngjyrave u realizua me qëllim që t’i shmangen dizajnit “prints dhe patterns”, duke i zëvendësuar me copëza me ngjyra të theksuara për të thyer monotoninë e ngjyrave. Një jakë ngjyrë portokalli, nën trikon ngjyrë vjollcë, të mbuluara me pallton ngjyrë kafe. Një ndër kombinimet perfekte për të marrë vëmendjen e duhur dhe për të shfaqur rendësinë e ngjyrave në një veshje.

Teksa i gjithë koleksioni mbizotërohet me shumë nuanca të heshtura të ngjyrës së kaltër pastel, bordo dhe e gjelbër e natyrës. Detaji që bie më së shumti në sy tek ky koleksion, janë shallet ekstravagante shumë të gjata, çantat e mëdha dhe palltot e gjata me lule të punuara në funde. Veshjet sportive shumëngjyrëshe janë mesazhi kryesor i këtij koleksioni: janë ato që mund t’i bëjnë gratë të rindërtojnë veshjet e tyre të punës për t’u ndjerë rehat.

Nëse ndiheni që një koleksion të tillë e keni hasur diku edhe më parë, ju mund të keni përcjellë modelet si Hailey Bieber, Kendall Jenner apo Gigi Hadid. Modelet posedojnë një stil të ngjashëm që mund t’i shihni si inspirim për stilin tuaj.