Arkiva
December 22, 2023
Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team
Duke qenë nga një qytet jo i rrafshët, gjatë sezonit dimëror, vite më parë, tatëpjetëzat në qytet shndërroheshin në shtigje skijimi dhe të gjithë ne përjetonim një dimër të vërtetë në mes të qytetit.
Fëmijët dhe të moshuarit skijonin në vende skijimi të improvizuara në lagjen Ulpiana, njëra nga shtigjet ishte në drejtim të shkollës “Hasan Prishtina”, ndërsa tjetra në drejtim të ndërtesës së lartë të Postës dhe Telekomit së Prishtinës. Shtigje të tjera të qindra metrave (shpesh edhe kilometrave) ishin të vendosura në Aktash, njëra nga monumenti i heronjëve të luftës deri në qendër të qytetit dhe tjetra në Rrugën e Dubrovnikut ose rruga “San Francisko”, siç quhet nga qytetarët e Prishtinës.
Dimri është stina të cilës të gjithë i gëzoheshin dhe me padurim e prisnin, me mundësi të panumërta të skijimit afër dyerve të shtëpive tona.
Me më pak borë dhe me shumë vetura, skijimi në Prishtinë tani është i mundshëm vetëm në Parkun Rajonal të Gërmisë. Sidoqoftë, Gërmia nuk ofron shtigje profesionale të skijimit dhe skijimi profesional është i mundshëm vetëm një orë larg qytetit.
Brezovica
Është e pozicionuar në pjesën verilindore të maleve të Sharrit, në pellgun e lumit Lepenc. Parku i skijimit në Brezovicë është i vendosur në lartësi prej 900m deri në 2500m mbidetare. Shtigje të gjatë të skijimit në vete përfshijnë edhe 5 teleferikë dhe 5 teleferikë me karrige, të lidhura me 16km të shtigjeve të skijimit dhe një gjatësi mesatare prej 3000 metrash. Në shtigjet e ndryshme në Brezovicë mund të skijojnë diku rreth 50.000 skiatorë.
Malet e Rugovës dhe Bjeshkët e Nemuna
Rugova është një rajon malor i pozicionuar në pjesën veri-perëndimore të Pejës në Kosovë. Në vitin 2013 është shpallur park kombëtar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës. Rugova është rajon i përshtatshëm për hajking, skijim, ecje malore, paraglajd dhe një numër të sporteve ekstreme. Është klasifikuar si qendra e katërt për nga rëndësia për sporte të dimrit nga Federata Ndërkombëtare e Skijimit (ISF) me bazë në Lucern. Rugova është e pasur më shumë shpella, ujëvara, liqene akullnajore, pikë të larta, tunele etj.