Live Stories from Prishtina

LIVE

29 Janar, 2025

Imagjinoni të jeni në gjendje të gjeni informacione për paraardhësit tuaj nga dhjetëra mijëra vjet më parë. Kjo mund të duket si diçka nga një film fantastiko-shkencor, por në fakt është plotësisht e mundur, dhe gjithçka pa një makinë kohe.

Në rregull, nuk mund të zbuloni emrat apo detaje individuale, por mund të mësoni cilave grupe të thella paraardhëse i përkisni. Si rezultat, mund të mësoni për shpërndarjen gjeografike dhe rrugët e migrimit të paraardhësve tuaj që nga dalja e tyre nga Afrika. Po, po… mirë e lexuat nga Afrika, pse dhe qysh ju tregojmë më poshtë.

Aftësia jonë për të zbuluar kaq shumë për të kaluarën është e pabesueshme, sidomos duke marrë parasysh se ADN-ja u zbulua vetëm në vitet 1950. Këto grupe të thella paraardhëse njihen si haplogrupe, dhe kuptimi i tyre mund të jetë paksa i ndërlikuar. Ja një udhëzues i thjeshtë për t’ju ndihmuar ta kuptoni më mirë.

Çfarë janë Haplogrupet?

Haplogrupet lidhen me prejardhjen tonë të lashtë. Kjo nuk është prejardhje në kuptimin tradicional, si kërkimi i lidhjeve familjare gjatë disa shekujve të fundit, përkundrazi eksplorimi i rrënjëve tona të thella që datojnë dhjetëra mijëra vjet më parë.

Adami Y-Kromozomal dhe Eva Mitokondriale

Të gjithë njerëzit e gjallë sot ndajnë një paraardhëse të përbashkët femër, e cila ka jetuar në Afrikë rreth 200,000 vjet më parë, beson shkenca. Të gjithë burrat gjithashtu ndajnë një paraardhës të përbashkët mashkull, për të cilin mendohet se ka jetuar afërsisht në të njëjtën periudhë. Ata njihen si “Adami Y-Kromozomal” dhe “Eva Mitokondriale”.

Kjo nuk do të thotë se në atë kohë ata ishin të vetmit njerëz në botë, por më tepër se linjat e tyre gjenetike janë të vetmet që kanë mbijetuar deri më sot.

Pema gjenetike njerëzore

Pema filogjenetike paraqet lidhjet evolucionare mes specieve që besohet se kanë një paraardhës të përbashkët. Njerëzit përfaqësojnë një degë të kësaj peme, e cila është ndërtuar bazuar në ADN dhe veçanërisht në shënjuesit SNP që janë ndryshime të vogla ose mutacione në ADN që ndodhin natyrshëm me kalimin e kohës.

ADN-ja Y (linja atërore) dhe ADN-ja mitokondriale (linja mëmësisë) kanë secila degët e veta në pemën gjenetike njerëzore.

Adami Y-Kromozomal dhe Eva Mitokondriale janë paraardhësit tanë të përbashkët më të fundit dhe ndodhen në krye të pemës, nga ku shpërndahen grupet gjenetike (haplogrupet) që rrjedhin prej tyre.

Pema Y-ADN-së ka rreth 18 degë, të njohura si Haplogrupe Y-ADN, të cilat klasifikohen me shkronjat A deri në R. Çdo haplogrup përmban edhe nën-grupe të tjera, të klasifikuara me numra dhe shkronja, si R1A.

Pema e ADN-së mitokondriale ka rreth 26 degë kryesore, të njohura si Haplogrupe mt-ADN, të cilat klasifikohen nga shkronjat A-Z dhe gjithashtu kanë nën-klane të tjera të shënuara me numra dhe shkronja.

Çdo person në botë sot është pasardhës i një prej haplogrupeve kryesore të ADN-së mitokondriale.

Në thelb, haplogrupet na tregojnë se ku përfshihemi në pemën gjenetike të njerëzimit dhe na grupojnë në “klane” të lashta familjare. Çdo haplogrup është rezultat i mutacioneve gjenetike të njohura si SNP. Njerëzit që rrjedhin nga i njëjti “klan” do të kenë të njëjtën strukturë të SNP-ve.

Kur identifikoni haplogrupin tuaj, testime të mëtejshme mund të zbulojnë nën-grupin tuaj specifik.

 

Çfarë mund të na tregojnë Haplogrupet për prejardhjen tonë?

Identifikimi i haplogrupit tuaj mund të zbulojë informacione befasuese mbi prejardhjen tuaj të lashtë. Haplogrupet lidhen zakonisht me rajone të caktuara gjeografike dhe na tregojnë rrugët e migrimit të paraardhësve tanë që nga dalja nga Afrika.

Rrugët e migrimit

Falë kërkimeve të gjera, mund të lidhen haplogrupet me rrugët e migrimit të njeriut. Kjo është një fushë kërkimore në zhvillim e sipër, por disa shembuj përfshijnë:

Haplogrupet Y-ADN:

Y-ADN Haplogrupi H, është një degë e haplogrupit F dhe besohet se ka origjinën rreth 30,000 vjet më parë në Afrikën Lindore, përpara se të përhapej në Indi. Sot, gjendet me frekuencë të lartë në Indi, Sri Lanka dhe te popullatat rome në Evropë.

Y-ADN Haplogrupi I, ka origjinën rreth 25,000 vjet më parë në Afrikën Lindore dhe Evropën Jugore. Pas epokës së fundit të akullit, u përhap drejt Evropës Veriore.

Haplogrupet mtADN

Mt-ADN Haplogrupi H, është një nga grupet më të zakonshme në Evropë. Ai ka origjinën në rajone si Kaukazi, Lindja e Mesme dhe Evropa e Mesme.

Mt-ADN Haplogrupi X, fillimisht u nda nga Haplogrupi N dhe më pas, rreth 20-30,000 vjet më parë, u nda në dy nën-grupe: X1 dhe X2.

X1 gjendet kryesisht në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.
X2 është më i zakonshëm në Lindjen e Mesme, Kaukaz, Evropën Mesdhetare dhe pjesë të tjera të Evropës.