N’Kosovë
14 Nëntor, 2024
Marrë shkas nga konferenca e djeshme e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, pas mbledhjes së Qeverisë!
•••••••
Kosova ka vendosur të bëjë një hap të guximshëm. Hiq më pak se shndërrimin e vendit në “Hollywood-in” e Ballkanit.
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, me plot entuziazëm, ka njoftuar se qeveria ka miratuar projektrregulloren e rabatit ne Ligjin për Kinematografinë.
Por ky rabat, që parashihet të jetë “atraktiv” për produksionet ndërkombëtarë, nuk është vetëm për filma e seriale!
Ky rabat sipas Hajrullahut t’kulturës, do të jetë për gjithçka që lëviz dhe bën zhurmë, videoklipe muzikore, reklama, animacione, madje edhe për videolojëra.
Çeku, është i bindur se ky është fillimi i një epoke të artë për industrinë kreative në Kosovë.
“Kosova do të bëhet destinacioni kryesor për prodhimtari filmike në rajon,” thotë ai.
Ndërkohë, ndoshta “ëndërron” për premiera në tapetin e kuq të Prishtinës dhe turistë masiv që mbajnë bluza me sloganin “Made in Kosova”.
Por, të marrim frymë pak!. Nuk mbaron këtu.
Si në një episod të veçantë të ndonjë serie fiksion, Çeku ka njoftuar gjithashtu një plan për ndërtimin dhe rinovimin e 27 stadiumeve brenda pesë viteve të ardhshme.
Po flasim për stadiume kombëtare me nivel ndërkombëtar.
Falë një marrëveshjeje “epike” me UEFA-n, FIFA-n dhe 16 komuna të Republikës së Kosovës, synimi është të kemi stadiume që do të shkëlqejnë si “shkëndijat e yjeve” për Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në vitin 2030.
Imagjinoni për një moment!. Në njërën anë të Kosovës, po filmohet filmi më i ri aksion i “Warner Bros”, ndërsa në anën tjetër zhvillohet finalja e “Kupës Mesdhetare”.
Në fund të fundit, ashtu siç po përshkruhet, Kosova po përgatitet për të shkëlqyer në çdo fushë.