Live Stories from Prishtina

LIVE

31 Janar, 2025

Në botën moderne, ku çdo gjë kalon shumë shpejt, leximi i një libri dhe mbajtja mend e përmbajtjes, duket sfidë e paarritshme për trurin.

Por, mos u shqetësoni!

Psikologët, rekomandojnë disa këshilla, të cilat mund t’ju ndihmojnë të lexoni libra dhe të mos harroni përmbatjen.

Lexo ngadalë, leximi nuk është garë

Kupto që është një libër, jo një konkurs për të thyer rekorde shpejtësie.

Një hulumtim nga Universiteti i Stanfordit tregon se leximi i kujdesshëm aktivizon zona të trurit që lidhen me të menduarit kritik dhe përqendrimin.

Prandaj lexoni ngadalë si dhe jepi vetes kohë për të përpunuar idetë.

 

Nënvizo pjesët interesante

Gjatë leximit, përdorni lapsin.

Hulumtimet kanë treguar se shenjëzimi i pjesëve të rëndësishme, përforcon kujtesën vizuale.

Madje kur të rilexoni librin, do të gjeni thekset që keni nënvizuar, duke ua kursyer kohën pa gjurmuar nga fillimi.

 

Mbaj një ditar

Mbani shënime për librat që lexoni si dhe shkruani se çfarë ju bëri përshtypje.

Disa njerëz, madje krijojnë tabela të thjeshta me ide kryesore ose citime të preferuara.

Ky zakon mund të përshkruhet si një album fotografishë i mendimeve tuaja.

 

Diskuto, sepse mendimet ndahen për të evoluar

Shpesh harrojmë që diskutimet janë një nga mënyrat më të mira për të përforcuar mbamendjen.

Sipas një studimi i kryer në Universitetin e Chicago-së, diskutimi për atë që lexoni përmirëson kujtesën tuaj afatgjatë.

 

Krijo histori nga librat që lexon

Mos mendoni për librin si një obligim, por si një seri skenash që do t’i përktheni në imagjinatën tuaj.

Studimet kanë treguar se truri ynë ruan më mirë informacionin kur e lidhë me histori apo përvoja personale.

Pra, konsiderojeni librin si një film ku ju jeni regjisor!

 

Rifresko leximin me intervale

Do të ishte mirë që librave, sidomos atyre që ju lënë mbresë, t’ju ktheheni herë pas here, sidomos atyre pjesëve që ju kanë pëlqyer.

Në gjuhë shkencore, kjo njihet si metoda e ripërsëritjes me ndërprerje dhe për këtë qëllim studiuesit sugjerojnë ripërsëritjen, pasi që ajo ndihmon trurin tuaj të mbajë në kujtesë më gjatë informacionin.

 

Praktikoni atë që mësoni

Nëse lexoni një libër se si të motivoheni për sukses, filloni dhe praktikoni teknikat që përmenden aty.

Kur i praktikojmë ato, kujtesa bëhet më e qëndrueshme.

Pra, mos e mbani librin vetëm në mendje, transformojini njohuritë e marra në veprim të përditshme.

 

Por a e bëjnë këto këshilla leximin e librit një ritual të mërzitshëm?

Absolutisht jo!

Leximi i një libri nuk duhet të jetë një eksperiencë që ju ikë sapo e mbyllni.

Me këto këshilla, jo vetëm që do të kujtoni më shumë por edhe do të përjetoni kënaqësinë që ofron një libër, si një mik që gjithmonë sjell diçka të re në jetën tuaj.

Fundja, kur të përballeni me pyetjen “Çfarë librash ke lexuar së fundmi?”, nuk do të mbeteni duke kërkuar kujtesën sikur në një kasafortë të humbur.

Leximin duhet përjetuar si një udhëtim, pasi vlerat që përfaqëson mund të mbesin art i përhershëm në kujtesën tuaj!