Kojshitë / Photograph: Oliver Bunic/AFP/Getty Images
1 Shkurt, 2025
Për ju që jeni marrë veç me zgjedhjet në Kosovë, a e dini se çka është duke ndodhur me protestat në Serbi? Ja një ngjarje kronologjike se si ka rrjedhur gjithçka:
Më 1 nëntor 2024 – 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad.
Më 26 nëntor 2024 – Studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike ishin të parët që nisën një bllokadë, duke kërkuar nga autoritetet që të ndjekin penalisht personat që disa ditë më parë kishin sulmuar kolegët e tyre gjatë aksionit “Ndalo Serbi”, i cili shprehte solidaritet me viktimat dhe të plagosurit gjatë aksidentit që ndodhi në Novi Sad.
Më 30 dhjetor 2024 – Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Novi Sad ngriti aktakuzë kundër 13 personave në lidhje me shembjen e strehës së stacionit.
Më 12 janar 2025 – Në protestat e organizuara nga studentët u vunë re simbolet e disa organizatave të ekstremit të djathtë, si dhe disa flamuj me hartën e Kosovës dhe me mesazhin “Nuk ka dorëzim”, teksa disa prej protestuesve u distancuan nga këto qëndrime.
Më 25 janar 2025 – Richard Grenell tha: “Ne nuk i mbështesim ata që minojnë sundimin e ligjit ose që marrin me forcë ndërtesat qeveritare. Nëse nuk ju pëlqen një ligj apo një udhëheqës, atëherë punoni për ta ndryshuar atë, por mos përdorni dhunë.”
Më 27 dhe 28 janar 2025 – Mijëra protestues e kaluan natën duke bllokuar njërin prej kryqëzimeve kryesore në Beograd.
Po më 28 janar, kryeministri populist i Serbisë, Miloš Vučević, dha dorëheqjen në përpjekje për të qetësuar tensionet politike pas muajsh protestash kundër korrupsionit.
Vuçeviq tha se ai mori vendimin për të dhënë dorëheqjen pasi një studente në Novi Sad u dërgua në spital pas një sulmi nga sulmuesit që supozohet se ishin nga partia SNS.
Kryetari i komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriq, gjithashtu dha dorëheqje të martën.
Ish-kryeministri Vucevic, i lidhi protestat me ndërhyrje nga të huajt, pa dhënë asnjë provë.
“Unë kurrë nuk mund të justifikoj apo kuptoj shumë nga këto protesta, bllokada të jetëve, rrugëve dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve të tjerë”, tha ai.
Dorëheqja e Vuçeviqit, i cili ishte kryetar i komunës së Novi Sadit kur filloi rinovimi i stacionit të trenit, dukej se ishte një përpjekje për të “mbytur” zemërimin e publikut për tragjedinë, tha gazetari Slobodan Georgiev për televizionin N1.
Pas dorëheqjes, presidenti serb Aleksandar Vuçiq sugjeroi zgjedhje. Sipas The Guardian, Marta Szpala, një anëtare e lartë në Qendrën për Studime Lindore në Varshavë, tha se një gjë e tillë do të ishte e favorshme për Vuçiq.
“Përndryshe, ai mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme, duke kërkuar të rimarrë kontrollin e narrativës dhe të përfitojë nga një lëvizje sociale e decentralizuar dhe shumë e larmishme pas protestave,” tha ajo.
Protestat kanë vazhduar të përhapen, duke u zhvilluar në më shumë se 100 qytete dhe qyteza, dhe duke tërhequr mbështetje në rritje nga anëtarët e gjyqësorit, mësuesit, bizneset private dhe publiku i gjerë.
Më 31 janar 2025 – Studentët që organizuan protestat tash e dy muaj janë zyrtarizuar si kandidatë për Çmimin Nobel të Paqes për këtë vit. Ata u nominuan për çmim në ora 12:00, në afatin e fundit të nominimit, nga dramaturgu Sinisha Kovaçeviq dhe juristja Dijana Stojkoviq.
Kurse gjatë ditës, morën edhe konfirmimin e shprehur nga Komiteti i Nobelit se kishin marrë kandidaturën e tyre.