Live Stories from Prishtina

LIVE

29 Tetor, 2024

Dolën në konferencë për shtyp bashkë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftuan se më 1 janar 2025 do të ketë rritje të koeficientit për sektorin publik.

Kurti fillimisht paraqiti të arriturat e qeverisë së tij, ku përmendi mbështetjen e prodhuesve dhe mbështetjen për familjet, që sipas tij ka ndikuar në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe shtimin e vendeve të reja të punës. Ai tha se pagat janë rritur çdo vit, ashtu siç e parashikon edhe ligji, ndërsa kësaj here nuk do të rritet koeficienti, por njësia e tij.

“Duke pasur parasysh nevojën për të mbështetur ata që kanë paga më të ulëta, kemi shkuar deri në maksimumin e lejuar për rritjen e pagave. Nuk po e rrisim vlerën e koeficientit, por koeficientin për një njësi. Nga janari i vitit të ardhshëm, koeficienti do të rritet për 0.5 njësi, dhe nga korriku për 0.5 njësi të tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6 do t’i bëhet 6.1 në janar, ndërsa në korrik do t’i bëhet 6.6. Të gjithë të punësuarve do t’u rriten pagat 55 euro nga janari dhe 110 euro në korrik.”

Sipas Kurtit, ekonomisë së Kosovës çdo vit po i shtohen 1 miliard euro, dhe sivjet buxheti kalon shumën prej 10 miliardë eurosh, ndërsa vitin tjetër do të jetë 11 miliardë euro.

“Me hyrjen në fuqi vitin e ardhshëm, do ta shtojmë buxhetin për paga. Rritja e koeficientit do të bëhet vitin e ardhshëm. Rritja për secilin vit duhet të jetë në linjë me rritjen ekonomike, dhe fatmirësisht, në qeverisjen tonë kemi treguar se dimë të qeverisim me zotësi,” tha kryeministri Kurti.

Pas shefit të tij, ministri i Financave, Hekuran Murati, elaboroi se kush përfiton nga rritja e pagës prej 55 eurosh.

Murati konfirmoi se punëtorët e sektorit publik, ku përfshihen administrata, mësimdhënësit, zjarrfikësit, ushtarët, punëtorët teknikë dhe punonjësit e tjerë të sektorit publik, do të përfitojnë nga rritja.