Bota
31 Maj, 2025
Amerikanët po i kthejnë shpinën sistemit tradicional nga politika te mjekësia sepse besojnë se status quoja nuk po funksionon më.
Në sipërfaqe, gjithçka duket mirë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ekonominë më të madhe në botë dhe krahasuar me gjysmën e parë të shekullit XX, popullsia amerikane është më e pasur, më e arsimuar dhe më e shëndetshme.
Por përkundër këtij zhvillimi objektiv, shumë njerëz ndihen të zhgënjyer, të lodhur dhe jashtë loje. Kjo pakënaqësi po i shtynë gjithnjë e më shumë drejt alternativave qoftë në mënyrën si përkujdesën për veten, si punojnë apo si përfaqësohen politikisht.
Gjithnjë e më shumë amerikanë po largohen nga ajo që deri tash konsiderohej rruga e zakonshme: sistemi shëndetësor, nga vendet e punës me orar 9 deri në 5 dhe politika tradicionale.
Jo domosdoshmërisht sepse kanë gjetur një alternativë më të mirë, por sepse ajo që është nuk po u funksionon më.
Në vitin 2023, sipas raportit të Mansion Global, një konsumator amerikan shpenzoi mesatarisht rreth 5,800 dollarë për mirëqenie, gati tre herë më shumë se evropianët, të cilët shpenzuan rreth 1,800 dollarë për person.
Një treg prej 2 trilionë dollarësh, që tregon më shumë për dëshirën për kujdes të ndjerë, sesa për efekt real.
Një në 13 qytetarë kanë marrë pjesë në skema të marketingut me shumë nivele, ndonëse 99% e tyre humbin para.
30% e të anketuarve do të donin Robert F. Kennedy Jr. në një pozitë qeveritare, pavarësisht dezinformatave që ai ka shpërndarë për vaksinat.
Pra, çfarë po ndodh?
Sistemi nuk po jep më siguri. Politika shihet si një klub i mbyllur, shëndetësia si tepër e shtrenjtë dhe e ftohtë, e puna si burim stresi e jo kuptimi. Në këtë boshllëk lindin alternativa shpesh të paqarta, të pasigurta, e nganjëherë të rrezikshme.
Në vend të ndryshimit nga lart, njerëzit po kërkojnë shpëtimin vetë edhe kur ai vjen në formën e një pilule “natyrale” 60 dollarëshe në TikTok, një “udhëheqësi të vërtetë” që flet ndryshe, apo një punë nga shtëpia që premton liri financiare.
Kërkimi për më shumë kujdes dhe kuptim është njerëzor. Por sa herë që institucionet dështojnë të përmbushin këtë nevojë, gjithmonë do të ketë dikush që ofron një version të thjeshtuar jo domosdoshmërisht të vërtetë.
Ndoshta Amerika nuk është në krizë, por në një kërkim të thellë për një jetë që ka më shumë përkujdesje, më shumë ndjeshmëri dhe më shumë kuptim.