N’Kosovë
9 Dhjetor, 2024
Qysh në moshë të vogël në Kosovë, sistemi (si ai në familje) të mëson tërthorazi që, nëse e përmend mbiemrin e babait, mund të “ia hedhësh paq”: të marrësh ndonjë notë më të mirë në shkollë (sepse je fëmija i këtij/atij), kur rritesh pak të të falet ndonjë dënim nga policia në rrugë ose të hysh pa radhë në ndonjë institucion për çështje administrative.
Por kjo nuk do të thotë që ky fenomen duhet të normalizohet. Mbiemri sot qenka përdorë si mburrje, se si pavarësisht faktit se kush je e kënd e ke të afërm nuk favorizohesh, e ky rast po e simbolizojka atë shtetin që e kemi ëndërruar!
Por a mundesh, situatat m’i rregullu prej gjysmës, vetëm sepse tash diçka po t’duket në rregull?
Nëse e prish lodrën e tjetrit në kopsht, dënohesh, sepse ato nuk janë të tuat dhe prindërit e shokut, të cilit ia ke shkatërruar lodrën, kanë punuar për ta blerë lodrën e fëmijës së tyre. Nëse, që nga fëmijëria, ua mëson fëmijëve se veprimet e papërshtatshme kanë pasoja dhe dënime, ajo shndërrohet në mësim dhe nuk përsëritet.
Edhe asambleisti Gëzim Sveçla, po të kishte treguar respekt ndaj taksapaguesve të Prishtinës, nuk do të kishte kontribuar në shkatërrimin e institucioneve shtetërore, e aq më pak në hapësirën që edhe vetë e shfrytëzon për t’i bartur hallet e qytetarëve dhe për të cilën është zgjedhur. Revoltën kundër vendimeve të papëlqyeshme ka pasur shumë forma të tjera për ta shprehur, e jo duke e shkatërruar foltoren e Kuvendit të Prishtinës, me shkuljen e mikrofonit të kryesuesit, Fehmi Kupina.
E tërë ndodhia pasoi pasi, me 25 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës u miratua buxheti i Komunës për vitin 2025. Pro tij kanë votuar edhe asambleistët e LVV-së, Berat Lahu dhe Edmond Azemi, si dhe ajo e PDK-së, Arbnora Ajeti.
Asambleisti Sveçla, gjatë kohës së pauzës, tregoi çfarë mund të bënte.
“Pavarësisht mbiemrave të jemi të gjithë të barabartë!” Ma more, e pse duhesh me mendu të kundërtën?
Qysh do ta shprehnit ju revoltën, lexues të nderuar, nëse do të ishit të zgjedhurit e qytetarëve? Me hedhje vezësh? Me gaz lotsjellës? Apo ju duket në rregull forma e kësaj revolte?