Paper explorer
25 Janar, 2025
Nëse ka një vend që të lë pa frymë me bukurinë dhe misterin e tij, ato janë Bjeshkët e Nemuna. Këto male madhështore, të njohura edhe si Alpet Shqiptare, nuk janë thjesht një destinacion turistik janë një udhëtim drejt zemrës së natyrës dhe historisë shqiptare.
Madje për më shumë këso fjali mund të shikoni dokumentarët e Alma Çupit në Klan Albania, ndër më të mirat me Histori Shqiptare, për të zbërthyer këto tema.
T’i kthehemi Alpeve, bjeshkëve:
Si e mori emrin ky vend mistik?
Emri “Bjeshkët e Nemuna” ka rrënjë në legjenda të lashta. Thuhet se malet ishin “të nemura” për shkak të sfidave të mëdha që paraqisnin për banorët dhe udhëtarët. Klima e ashpër dhe terreni i thyer i dhanë kësaj zone një aurë misterioze, ku natyra e egër sfidonte këdo që guxonte të hynte. Legjenda flet për një nënë dhe fëmijët e saj, të cilës turqit ia vranë burrin.
Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë, mori rrugën drejt Bjeshkëve sipër Rrafshit të Dukagjinit. Me fëmijët për dore, ajo nuk u kujtua për sende të tjera, pasi koha nuk priste, sepse ushtarët e armikut mund t’i kapnin.
E frikësuar nga ndjekësit dhe e pikëlluar për vrasjen e burrit, gruaja me dy fëmijët tashmë jetim, kthente vështrimin nga fshati, ku dukej shtëpia e saj, e cila po digjej nga flakët.
E pikëlluar, asaj iu nxinë sytë nga mungesa e ujit. Sa më shumë që ecte, aq më shumë bjeshkët lartësoheshin, sa më shumë përpiqej i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç, por ata ecnin e ecnin, sa më larg ushtarëve turq.
Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur si nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipër burimit të Drinit shterojnë dhe bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej fëmijëve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues.
Në mungesë të ujit, nëna mallkoi.
“Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! U shitoftë reja!”.
Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po kalonin çastet e fundit të agonisë.
Por sot, ky “mallkim” është kthyer në një bekim për ata që kërkojnë aventura unike dhe bukuri të papërsëritshme përshirë edhe turistët e huaj.
Një peizazh i formuar nga koha
Bjeshkët janë një mrekulli natyrore e krijuar nga gurë karstikë, të cilët kanë formuar shpella të fshehta, kanione të thella dhe maja që ngrihen krenare drejt qiellit. Kanioni i Rugovës, një nga perlave të kësaj zone, është vendi ideal për të eksploruar fuqinë e natyrës dhe për të bërë fotografi që të marrin frymën.
Bjeshkët e Nemuna konsiderohen si vazhdimi më i rëndësishëm i Alpeve Dinarike. Pjesa brenda territorit të Kosovës shtrihet në një sipërfaqe prej 26 km perëndim-lindje dhe 50 km veri-jug. Gjeravica me një lartësi prej 2656m është maja malore më e lartë në Kosovë dhe e dyta në vargmal.
Gama e gjerë e lartësive dhe topografia e thyer e maleve ka krijuar kushte të favorshme për një bimësi të ndryshme dhe biodiversitet. Gjitarët e mëdhenj, të tilla si kafshët e egra, shqiponjat e arta, dhia e egër, dreri, ujku gri, si dhe lloje të rralla ose të rrezikuara si rrëqebuj dhe arinj të kaftë mund të gjenden brenda pyjeve të parkut
Një ndër pikat më të njohura për vizitim është shtegu i Majës së Gurit të Kuq.
Është maja më e lartë në komunën e Pejës dhe bjeshkët e Rugovës, dhe gjendet në pjesën qendrore të Bjeshkëve të Nemuna në Kosovë. Balli verior i kësaj bjeshke paraqet një sfidë për ngjitje pasi që është pjesë me shkëmbinj vertikal, ndërsa shtegu alternativ për pushtimin e majës shfrytëzon lugjet e krijuara nga natyra nga ana tjetër e bjeshkës. Prandaj, nëse jeni duke e pushtuar bjeshkën nga ana veriore, kërkohet njohje e shkathtësive të ngjitjes në shkëmbinj. Megjithatë, nëse ngjitja në shkëmbinj nuk është një opsion për ju, ana jugore ofron shtigje me ecje të vështirësisë mesatare, por që gjithashtu ofrojnë pamje dhe përjetime shumë atraktive. Janë dy drejtime që mund t’i merrni për të arritur tek bjeshka e Gurit të Kuq, një nga fshati Kuqishte, përkatësisht nga zona e njohur si Leqinat, ndërsa tjetri nga fshati Lumbardh.
Shtegu i parë për tek Maja e Gurit të Kuq fillon nga Liqenati që i përket fshatit Kuqishtë, ku mund të arrinin me çfarëdo mjeti të motorizuar transporti, dhe vazhdon tek liqeni piktoresk i Leqinatit që gjendet në një zonë përplot me gjelbërim, dhe me florë dhe faunë të pasur, që do ju mundësojë një përjetim të paharrueshëm të ecjes malore. Shtegu pastaj vazhdon përmes pyjeve të dendura të cilat ende shfrytëzohen nga barinjët, për të arritur pastaj për tek Liqeni i Drelajve i cili në pranverë ka sasia të madhe të ujit. Kjo është një zonë e njohur për fruta mali si boronica dhe çajra mali. Pastaj shtegu kalon përgjatë Lugut të Shkodrës ku lidhet me pjesën e majës së Gurit të Kuq.
Gjatësia: 7.2 km
Lartësia mbidetare minimale 1,510 m / Lartësia mbidetare maksimale 2,522 m
Vështirësia: Mesatare (e përshtatshme për bjeshkatarët e të gjitha moshave dhe vizitor që janë në gjendje të mirë fizike dhe kanë njohuri të ecjes malore, ndërsa gjatë dimrit nevojitën shkathtësi teknike më të larta)
Kohëzgjatja: 4:30 orë
Shtegu i dytë për në këtë majë kalon nga fshati i Lumbardhit, që mund të arrihet me transport të motorizuar të llojit të terrenit malor, e që zgjatë rreth një orë nga qyteti i Pejës. Ky shteg ofron gjithashtu peizazhe të bukura, përgjatë të cilit do të mund të shihni liqenin e drunjve, si dhe habitatet e shtazëve të egra si dhitë e bjeshkëve, për tu lidhur pastaj me Gurin e Kuq ku fillon pushtimi i majës.
Ecje nëpër shtigje legjendare në Bjeshkë: Itinerari ndërkombëtar Peaks of the Balkans kalon pikërisht këtu, duke ju ofruar mundësinë të eksploroni tre shtete Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi – përmes natyrës së virgjër.
Alpinizëm dhe kamping: Për ata që duan aventura, ngjitja në majat si Jezerca dhe Gjeravica është një sfidë që ia vlen çdo hap.
Mikpritje autentike: Fshatrat malore si Boga, Thethi dhe Vermoshi ju presin me kuzhinën tradicionale shqiptare – provoni flinë e pjekur mbi saç dhe djathin e freskët që s’do ta harroni kurrë.
Shpella dhe Kanione sekrete: Pjesë të pazbuluara të maleve mbajnë fshehtësinë e qindra viteve.
Pse të vizitoni Bjeshkët e Nemuna?
Nëse kërkoni një vend ku bukuria e natyrës takohet me shpirtin e aventurës, ky është destinacioni perfekt. Bjeshkët e Nemuna nuk janë vetëm një udhëtim fizik – janë një përvojë shpirtërore që ju lidh me historinë, kulturën dhe magjinë e natyrës shqiptare.
