N’Kosovë
4 Qershor, 2025
Në një vend ku pushteti rrallëherë lirohet me vullnet të lirë dhe ku përgjegjësia politike zakonisht shmanget me heshtje ose me ndërrim teme, asambleisti Shukri Quni në Prizeren nga radhët e partisë Nismës Socialdemokrate zgjodhi një rrugë tjetër: dorëheqjen morale.
Ky akt i Qunit erdhi pas ngjarjejes tragjike, humbjes së jetës së të riut G.Sh nga fshati Nashec, një ngjarje që tronditi familjen dhe rrethin e viktimës.
“Unë kam vendosur me dhënë dorëheqje morale nga ky Kuvend, duke ju kërkuar falje elektoratit tim. Këtë dorëheqje po e paraqes pa u konsultuar me askënd fare. Arsyeja e dorëheqjes është një aksident që ka ndodhur në fshatin Nashec, ku unë kam kërkuar aty shumë herë në këtë Kuvend që të vendosen vijat e bardha, të vendosen shenjat e komunikacionit”.
Në vend se të kërkonte fajtorë në emër të vetëmbrojtjes politike, Z. Quni mori përgjegjësinë që rrallëkush guxon ta marrë. Jo për shkak se ishte personalisht fajtor, por sepse kuptoi se shpesh, mosveprimi, ngurrimi për të sfiduar sistemin e drejtësisë dhe heshtja në momentin kur duhet të veprosh janë po aq të rënda sa vetë gabimi.
“Prandaj në këtë Kuvend nuk mund ta marrë fjalën më apo të mbrojë interesat e qytetarëve andej nga vij unë. Faleminderit për mirëkuptim”, janë fjalët që më dhanë një dhimbje për pastërtin morale që transmetoi Quni me sinqeritetin e tij.
Kjo nuk është dorëheqje. Është protestë pa zë. Është një mesazh i thjeshtë por i thellë: jeta e një qytetari vlen më shumë se çdo pozitë.
Një shembull i paparë deri tani në Kosovën tonë, ku ata që janë në krye të saj nuk arrijnë të shohin më larg se hunda e tyre. Por Kosova është gjithashtu një vend që ka njerëz si z. Quni, i cili nuk kërkoi të gjejë fajtorë, por na tregoi se jeta dhe mirëqenia janë më të rëndësishme se çdo privilegj që mund të vijë me karrigen e pushtetit.