N’Kosovë
30 Prill, 2026
“Joni, është koha për të xhiruar”.
Kjo është një nga fjalit që do të supozohej ta thërrisja kolegun tim për ta zgjuar prej një nga zakonet më të nënvlerësuara të kohës moderne “kotjes” së pasdites.
Joni thotë se ndihet shumë më i gjallë, jo falë kafesë, por falë “kotjes së shkurtër që ja mbushi pak bateritë”.
Madje e inspiron edhe storja rreth asaj që kanë treguar më të afërmit e Winston Churchill, i cili njihej për rutinën e tij të çuditshme. Nëse Churchill e hante një drekë të pasur me kalori dhe pak alkool ai ngjitej në dhomën e tij për një gjumë të shkurtër, e cila e ndihmonte më vonë për të vazhduar punën deri në orët e vona të natës.
Por përtej anekdotave historike, çfarë thotë shkenca?
Sipas neuroshkencëtarit Matthew Walker, autor i librit “Why We Sleep”, njerëzit sot nuk flenë në mënyrën që natyra ka parashikuar.
Rutina jonë ditore me orën biologjike të trupit kanë shkaktuar atë që nga shumë e dëgjon si “ma ka lëshu”, apo shkaktimin e rënies së energjisë.
Megjithatë, stili modern i jetesës na shtyn ta injorojmë këtë sinjal dhe të vazhdojmë punën pa ndërprerje.
Studimet e mbështesin idenë e gjumit të pasdites. Një hulumtim i madh me mbi 23,000 të rritur në Greqi zbuloi se ata që hoqën dorë nga “siesta” kishin 37% më shumë rrezik për sëmundje të zemrës.
Kjo dëshmon se trupi ynë mund të jetë i programuar për një model gjumi që kombinon gjumin me një periudhë gjatë natës dhe një tjetër më të shkurtër gjatë ditës.
Por si krahasohet gjumi i shkurtër me kafenë?
Rezultatet janë befasuese “kotjet” e gjumit rezultojnë më efektive se kafeina në përmirësimin e vigjilencës dhe kujtesës gjatë pasdites.
I njëjti fenomen dëshmon se praktikimi i tij mund t’i zbus efektet e një nate të keqe gjumi.
Megjithatë, gjumi i shkurtër nuk e zëvendëson gjumin e plotë gjatë natës, por mund të jetë si një “snack” gjatë ditës e jo si vakti kryesor.
Në disa vende, si Japonia, kompanitë kanë filluar të integrojnë hapësira të posaçme për gjumë në zyra, duke e parë atë si investim në produktivitet dhe mirëqenie e puntorëve.
Dhe krejt kjo jo pa ndonjë arsye, një gjumë prej 10 deri në 30 minutash mund të përmirësojë ndjeshëm humorin dhe përqendrimin.
Koha ideale për një pushim të tillë është mes orës 13:00 dhe 15:00, kur trupi përjeton rënien natyrale të energjisë.
Nëse flini më vonë, rrezikoni të prishni gjumin e natës. Po ashtu, kohëzgjatja e këtij “power nap-i” është kyçe, mbi 60 minuta mund të ketë efekte negative, përfshirë rritjen e rrezikut për diabet dhe probleme kardiovaskulare.
Edhe nëse nuk arrini të flini, thjesht mbyllja e syve për 15 minuta i jep trurit një mundësi për t’u rigjeneruar dhe si çdo zakon i shëndetshëm, edhe ky kërkon konsistencë përfitimet më të mëdha vijnë kur praktikohet rregullisht.
Kjo nuk quhet dembelizëm por për një mënyrë e mençur për të menaxhuar energjinë. Një pushim i shkurtër mund të jetë pikërisht ajo që i duhet një dite të ngarkuar.

