T’mirat
2 Shkurt, 2025
Qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë pagat për shërbyesit civilë.
55 euro më shumë kanë marrë shërbyesit civil me pagën e janarit 2025, derisa nga korriku do të ketë edhe një tjetër rritje prej 55 euro, duke e çuar totalin në 110 euro.
Nëse pritjet ishin më të mëdha, ky do të jetë realiteti i rritjes së pagës për vitin 2025.
Derisa qeveria e sheh si hap të madh këtë vendim, qytetarët kanë një pyetje:
A është rritja e mjaftueshme për të përballuar koston e jetesës?
Një analizë e shpejtë e ekonomisë kosovare tregon se njerëzit nuk kërkojnë luks, por veç një jetë ku nuk kanë nevojë t’i numërojnë centët në market, para se të afrohen te arka.
Çmimet e produkteve bazë kanë marrë tatëpjetën, duke e bërë blerjen një aktivitet ekstrem.
Një shportë e zakonshme ushqimore tani kërkon strategji financiare të tipit: “Redukto shpenzimet se ngelesh pa para në gjysmë të muajit”.
Gjithashtu, rritja e çmimit të energjisë elektrike ka bërë që njerëzit para se të ndezin sistemin e ngrohjes të mendohen dy herë.
Ndërsa, për ata që mendojnë të ndërtojnë shtëpi ose të bëjnë rinovime, ky është një hap luksi.
Kostoja e ndërtimit është rritur aq shumë, me 3.2% në tremujorin e dytë të vitit 2024 krahasuar me tremujorin e parë të po të njëjtit vit.
Në këtë realitet ekonomik, vlen të shihet edhe shembulli i Kroacisë. Ky vend shënoi një protestë të paparë deri më tani – një lëvizje qytetare kundër rritjes së pakontrolluar të çmimeve dhe mungesës së masave qeveritare për të mbrojtur standardin jetësor të popullatës.
Platforma e quajtur “Halo inspektore” (Alo inspektor!) kërkoi nga konsumatorët të bojkotonin tri rrjete kryesore tregtare – “Lidl”, “Eurospin” dhe “dm” – si dhe tri lloje produktesh: Coca-Colën dhe pijet e tjera me gaz, ujin e ambalazhuar dhe detergjentet për enë.
Rezultati? Krahasuar me dy javë më parë (kur nuk kishte pasur bojkot), vlera e produkteve të blera u ul me 42%. Intenca e platformës është që bojkoti të zgjasë një javë, gjatë së cilës do të ushtrohet presion mbi tregtarët për të ulur çmimet, të cilat kanë dalë jashtë kontrollit, në emër të inflacionit.
E fakti është se inflacioni në zonën Euro në muajin dhjetor ishte vetëm 2.4%, ndërkohë që kriza e para tre vjetëve (me 10.6% inflacion) është tejkaluar. Por, edhe çmimet e kanë tejkaluar normalen…
A mund të ndodhë diçka e tillë në Kosovë? Apo do të vazhdojmë të pranojmë rritje pagash që nuk e zbusin realisht barrën ekonomike?
Në fund të ditës, rritja është rritje, dhe çdo cent shtesë ndihmon.
Por, a është kjo zgjidhja reale për t’i bërë ballë sfidave ditore?
Pavarësisht gjithçkaje, mbetet ideale të bëhemi ekspertë të kursimit, ose të mësojmë ndonjë zanat të ri, si të jetojmë me ajër!