Bota
11 Qershor, 2026
Kemi disa informata pozitive që ndodhën në botë këto kohët e fundit dhe që ia vlenë t’i ndajmë me ju. Mjaftueshëm po lexojmë për parregullësit dhe për gjërat që duhet të jenë “më mirë”, andaj ja ku i kemi disa prej momenteve më pozitive në botë…
Evropa hoqi një numër të madh digash
Më shumë se 3,700 kilometra që përshkruhen vetëm nga lumenjët u rilidhën në Evropë gjatë vitit 2025, falë heqjes së një numri rekord prej 603 pengesash dhe digash lumore.
Sipas raportit të organizatës Dam Removal Europe, Suedia udhëheq me 173 diga të larguara, e ndjekur nga Finlanda me 143 dhe Spanja me 109. Për herë të parë edhe Islanda dhe Maqedonia hoqën pengesat e tyre lumore.
Ky zhvillim po përmirëson habitatet natyrore dhe po rikthen vijat nëpërmjet të cilave peshqit ndrrojnë vend. Në lumin Dee në Uellsin verior, për shembull, është shënuar një rritje e konsiderueshme e foleve të lampreut detar pas heqjes së një dige.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se në Evropë vazhdojnë të ekzistojnë mbi 150 mijë pengesa të vjetruara në lumenj, ndaj puna ende nuk ka përfunduar.
Një ilaç i ri kundër kancerit të pankreasit po jep shpresë
Një pilulë e re eksperimentale, e quajtur daraxonrasib, ka treguar rezultate premtuese në trajtimin e kancerit të avancuar të pankreasit.
Në një studim me 500 pacientë, ilaçi arriti të dyfishojë kohën mesatare të mbijetesës, nga 6 muaj në 13 muaj. Përveç kësaj, ai shkaktoi më pak efekte anësore sesa kimioterapia tradicionale.
Kanceri i pankreasit konsiderohet një nga format më vdekjeprurëse të kancerit, me norma mbijetese pesëvjeçare nën 15%. Studiuesit e kanë cilësuar këtë rezultat si një nga përparimet më të rëndësishme të viteve të fundit në këtë fushë.
Testi gjenetik shmangë kimioterapinë për miliona pacientë
Miliona njerëz me kancer të gjirit mund të kursehen nga kimioterapia e panevojshme falë një testi të ri gjenetik.
Studimi ndërkombëtar përfshiu 4 mijë gra dhe burra dhe tregoi se më shumë se dy të tretat e pacientëve mund të trajtohen vetëm me terapi hormonale, pa pasur nevojë për kimioterapi.
Testi, i quajtur Prosigna, mat aktivitetin në gjenet e përfshira në rritjen e kancerit të gjirit dhe llogarit rrezikun e pacientes që sëmundja të rikthehet.
Rezultatet treguan se pacientët me rrezik të ulët kishin pothuajse të njëjtën normë mbijetese pesëvjeçare si ata që iu nënshtruan kimioterapisë, duke shmangur kështu efektet e rënda fizike dhe emocionale të trajtimit.
Zelanda e Re po ndërton pesë rezervate të reja detare
Qeveria e Zelandës së Re ka njoftuar ndërtimin e pesë rezervateve të reja detare në Ishullin Jugor.
Rezervatet mbulojnë rreth 495 kilometra katrorë dhe përfshijnë hapësirat me alga, korale të ujërave të thella dhe kanione nënujore.
Zona do të menaxhohet së bashku nga qeveria dhe komuniteti indigjen Kāi Tahu, ndërsa peshkimi do të ndalohet plotësisht.
Një specie e “humbur” u rizbulua në Indonezi
Një papagall i rrallë, i njohur si Loriketi me ballë blu, është rizbuluar në Indonezi pas pothuajse një shekulli.
Specia ishte dokumentuar për herë të parë në vitet 1920 dhe konsiderohej e humbur për dekada. Vetëm në vitin 2014 u fotografua rastësisht nga një vëzhgues zogjsh.
Në prill të këtij viti, konservatorët arritën ta fotografojnë sërish gjatë një ekspedite në malin Kapalatmada në ishullin Buru.
Ekspertët paralajmërojnë se prerjet e pyjeve dhe aktivitetet minerare vazhdojnë të kërcënojnë habitatin e saj.
Një tren i ri nate do të lidhë Holandën me Italinë
Rrjeti evropian i trenave të natës do të zgjerohet me një linjë të re që do të lidhë Holandën dhe Italinë nga fundi i këtij viti.
Kompania European Sleeper do të ofrojë udhëtime me ndalesa në qytete si Antverpi, Breda dhe Eindhoven.
Interesi për udhëtimet me tren po rritet si alternativë më e qëndrueshme dhe më pak ndotëse ndaj fluturimeve ajrore.
Çmimet e biletave do të fillojnë nga 49.99 euro.
Fëmijët holandezë vazhdojnë të jenë më të lumturit në botë
Sipas indeksit më të fundit të mirëqenies së fëmijëve të UNICEF-it, Holanda mbetet vendi me fëmijët më të lumtur në botën e zhvilluar.
Ekspertët e lidhin këtë rezultat me kulturën e punës me orar të pjesshëm, nivelet e larta të barazisë gjinore dhe një stil më të lirë e më pak kontrollues të prindërimit.
Edhe përdorimi i përditshëm i biçikletës konsiderohet një faktor që ndikon pozitivisht në mirëqenien e fëmijëve.

