Live Stories from Prishtina

LIVE

24 Janar, 2025

Të mbushur me tension dhe revoltë, Beogradi është kthyer në një skenë të përditshme të grupeve të revoltuara, të cilët dalin në rrugë për të protestuar, kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Turma njerëzish në protestë, jo në një ekspozitë arti apo ndonjë festë fetare apo kombëtare serbe.

Të irituar nga korrupsioni, kontrolli mediatik, por edhe jeta e rënduar në aspektin financiar, kanë bërë që shumë qytetarë serb, ta lënë televizorin dhe të dalin në rrugë, për të kërkuar ndryshim.

Ndërkohë, presidenti “hekur” Vuçiq, njeriu që duket se ka më shumë kontroll mbi shtetin se sa një diktator romani, nuk po heq dorë nga metodat e vjetra për të ruajtur pushtetin.

Si një mjeshtër i stabilitetit dhe destabilitetit, ai prej vitesh ka gjetur një mënyrë të shkëlqyer për të përdorur serbët në Kosovë si instrument politike për të ruajtur ndikimin e tij në Kosovë.

Në një lojë me skenar të përsëritur, Serbia edhe kësaj radhe është përfshirë në organizimin e serbeve te Kosoves që jetojnë në Serbi, që të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, duke ofruar transport falas, për ata që ende besojnë se Lista Serbe është shpëtimtari i kombit.

Të gjithë jemi dëshmitarë se kjo nuk është diçka e re.

Që nga paslufta, Serbia ka përdorur serbët e Kosovës, përfshirë ata që kanë lëshuar Kosovën, si një armë politike për të rritur ndikimin në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, shumica e serbëve të Kosovës kanë qenë të gatshëm të luajnë këtë rol me besnikëri.

Sado që disa parti të vogla serbe në Kosovë, i bëjnë thirrje komunitetit serb të mendojë për të ardhmen, duke kërkuar mbështetje për subjektet që janë të lidhur ngushtë me realitetin e Kosovës, Lista Serbe mbetet “armiku i vërtetë” i pluralizmit politik,

Apo ndoshta është një çështje e mospërputhjes, pasi që ato parti të tjera nuk kanë as mbështetje dhe as mundësi reale për të rivalizuar përkrah një strukture të organizuar që vjen nga Beogradi.

Por gjithsesi, është më e thjeshtë të shpenzosh një biletë autobusi deri në një qendër votimi se sa të ballafaqohesh me “argumente” të një politike të verbër.

Politika e Serbisë ndaj Kosovës, dhe sidomos ndaj serbëve të Kosovës, ka shpërfaqur gjithmonë pasoja të rënda.

Kjo strategji e përqendrimit në një parti të vetme, në këtë rast Lista Serbe, përfundimisht minon mundësinë e një përfaqësimi të vërtetë të serbëve në Kosovë.

Ajo nxit polarizimin dhe përkeqëson atmosferën për çdo zhvillim që mund të sjellë paqe.

Por ku do të shkojë kjo histori? A do t’i qëndroj “kungulli mbi ujë, presidentit Vuçiq? A do të mund të mbijetoj ai në këtë situatë tensionesh brenda dhe jashtë Serbisë?

Pas shpërthimit të protestave në Serbi dhe tensioneve të brendshme që po përjeton, duket se modeli prej një presidenti autoritar, po sfidohet gjithnjë e më shumë nga kundërshtarët e tij politik.

Nëse Serbia vazhdon të mbajë linjën e instrumentalizimit të serbëve të Kosovës, ajo mund të përkeqësojë jo vetëm marrëdhëniet ndërkombëtare por edhe të shkatërrojë stabilitetin që përpiqet të rikthej brenda kufijve të vet.

Për të ardhur deri tek një epokë e re, ku marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të bazohet në respekt dhe bashkëpunim, Serbia ka shumë punë për të bërë.

Për sa kohë që Vuçiq vazhdon të “luajë me kunguj”, mundësia për një realitet të ri në politikën serbe mbetet një ëndërr.

Është e mundur që presidenti Vuçiq, kungullin mbi ujë mund ta mbajë për një kohë, por athua sa gjatë mund ta mbajë balancën në politikë brenda dhe jashtë Serbisë?