Arkiva
August 5, 2024
Një temë të cilën së fundmi po e diskutoj me shumë njerëz është kujtesa e dobët që kam kohëve të fundit. Sipas revistës Poosh, gjatë viteve të fundit, kërkimet shkencore kanë treguar se aftësia jonë për të kujtuar gjërat po përkeqësohet globalisht për një sërë arsyesh, ndër to shkaktar po konsiderohet edhe pandemia.
Ani pse kujtimet tona ndahen në dy kategori; ato praktike (si psh. gjetja e çelësave të makinës) dhe personale (ndjenja e vetvetes), të gjitha janë të vlefshme dhe duhet të punojmë që t’i mbajmë gjallë.
Andaj sot do t’i shqyrtojmë mënyrat se si ta përmirësojmë kujtesën tonë.
Ushtrimet në palestër
Ushtrimet janë të mira për trurin në përgjithësi, por ka edhe më shumë përfitime nëse përfshini stërvitjet me intervale në rutinën tuaj të fitnesit. (Stërvitjet me intervale janë një metodë trajnimi ku ju rrisni dhe ulni intensitetin e stërvitjes tuaj midis stërvitjes aerobike dhe anaerobe).
Një studim i vitit 2022 zbuloi se vetëm gjashtë minuta stërvitje me intensitet të lartë rritin nivelin e gjakut të faktorit neurotrofik që rrjedh nga truri (pra BDNF-në, proteinë që gjendet në tru dhe në palcën kurrizore. BDNF ndihmon në mbijetesën e neuroneve qelizat nervore dhe zhvillimin e të rejave, një molekulë e përfshirë me të mësuarit dhe kujtesën).
Stërvitja me intervale gjithashtu e bën trurin tuaj të funksionojë sepse jeni duke mbajtur mend gjurmët e përsëritjeve dhe/ose kohën dhe po kaloni midis aktiviteteve të ndryshme. Në thelb, ju jeni duke e mbajtur trurin tuaj në majë të gishtave.
Hani lakrat e Brukselit
Kjo perime është burim i acideve yndyrore omega-3, një nga lëndët ushqyese më të rëndësishme për shëndetin e trurit. Këto yndyrna të shëndetshme të pangopura kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme në uljen e nivelit të peptidit që shkakton sëmundjen e Alzheimerit .
Omega-3 mund ta gjeni edhe tek peshqit si salmoni dhe merluci, arrat, farat e lirit dhe farat chia.
Bëni përsëritje
Ndonjëherë, ju duhet të përsëritni gjërat. Hipokampusi është i përfshirë në shumë gjëra, përfshirë këtu edhe kujtesën. Detyra e tij është të mbajë kujtimet tona afatshkurtra dhe më pas t’i transferojë ato në ruajtje afatgjatë. Studimi mbi efektet e mësimit të përsëritjes tregon se përsëritja e diçkaje gjashtë herë aktivizon hipokampusin në mënyrë më efektive sesa përsëritja e diçkaje vetëm një herë. Përsëritja rrit lidhjen e hipokampusit me rajonet e tjera të trurit, duke rezultuar në rikthim më të suksesshëm të kujtesës.
Bëni shëtitje
Thjeshtë një shëtitje e rregullt çdo ditë dhe ju do filloni të shihni rezultat. Aktiviteti aerobik rrit madhësinë e hipokampusit dhe përmirëson kujtesën. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse me kalimin e moshës, hipokampusi ynë në të vërtetë fillon të tkurret . Por hulumtimi mbi aktivitetet fizike ka treguar se shpeshtimi i ecjeve në më shumë se 4000 hapa në ditë përmirësojnë funksionin kognitiv.