Live Stories from Prishtina

LIVE

August 3, 2024

Mbrëmja e së premtes, e datës 2 gusht në Prishtinë, në sheshin Skënderbeu, nuk kishte asnjë dallim nga mbrëmjet tjera madhështore të operave botërore. Si nga organizimi ashtu edhe nga performimi artistik, i realizuar nga “Ramë Lahaj International Opera Festival”.

Nga 21 korriku e deri më 2 gusht, festivali tashmë i përvjetshëm 10 ditorë, ka përmbyllur programin e tij artistik me sukses me ngjarjen e fundit “Gala Night Rame Lahaj and friends”.

Një përshkrim rreth festivalit:

I titulluar për nder të tenorit të nderuar kosovar Ramë Lahaj, festivali bazohet në përvojën e tij të gjerë dhe qëndrimin artistik  në komunitetin ndërkombëtar të operës. Lahaj ka kuruar një ansambël të larmishëm këngëtarësh të njohur të operës që zbukurojnë festivalin me performancat e tyre.  Kjo festë kulturore jo vetëm që bashkon artistë me prejardhje të ndryshme, por gjithashtu ushqen  talente në zhvillim përmes masterklasave, duke nxitur rritjen dhe inovacionin brenda sferës së operës, të gjitha këto aktivite që organizohen brenda periudhës 10 ditore. Qëllimi kryesor është të prezantohet Kosova dhe trashëgimia e saj e pasur kulturore në skenën botërore.

Kush përformoi të premten dhe cilat detaje e karakterizuan?

Sigurisht që Ramë Lahaj dhe tenorët prestigjoz Charles Castronovo së bashku me Murat Karahan, zbarkuan në Sheshin Skënderbeu, për të dhuruar emocion dhe shkëndija nga ajo çka dijnë të bëjnë më së miri.

Pastaj Filharmonia e Kosovës ishin shumë të zotët në performim.

Nuk ka munguar as humori i Ramës, përderisa ka dhuruar fjalime të shkurtëra, ishte interesante sepse e mbante audiencën në interaksion me të.

Audienca pjesëmarrëse ishte nga më e larmishmja, të gjitha moshat kishin treguar interesim.”

Të dëgjosh këngën “Pranvera në Prishtinë” nga një tenor si Lahaj, krejtësisht ndjesi tjetër, jo vetëm këtë këngë por cdo këngë në gjuhën shqipe e transmetuar nga një tenor ishte rrënqethëse.

Në kuadër të edicioneve të përvjetshme cdoherë mbahet një mbrëmje kushtuar Nexhmije Pagarushës, një ekspozitë kjo e këtij viti me emrin “Athua ëndërr ishe ti” , një masterklas, Nata e Operës e shumë aktivite të tjera.

Në konferencën për shtyp një ditë para mbrëmjes Gala, Ramë Lahaj dha këtë deklaratë.

“Na kemi me bë presionin, me Operën, që shteti, komuna dhe sektori privat me na ndihmu me një sallë koncertale, apo një auditorium ku madje i mbeldhim të gjithë së bashku edhe Operën edhe Baletin, Filharmoninë e Ansamblin popullor”- tha ai, duke shtuar se forma më e mirë për të bërë presion është mbajtja e koncerteve në sheshin e Prishtinës me artistët e huaj.

Le të shpresojmë që dëshira për një sallë koncentrale dedikuar koncerteve të tilla të realizohet në një të ardhme sa më të afërt.

Dhe le ta përmbyllim duke shpresuar për sa më shumë netë kulturore të tilla.