Live Stories from Prishtina

LIVE

18 Qershor, 2026

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, sado ironike që tingëllon, shërimi nga gjithçka gjendet te uji i njelmët: te lotët, djersa ose deti. ❤️

Për 10 ditë, numërimi i votave më në fund ka përfunduar dhe Kosova tani e di saktësisht kush fitoi, sikur të mos e dinte që në natën e zgjedhjeve.

Vetëvendosje ka dalë e para me 53 deputetë dhe mund ta formojë qeverinë pa ndihmën e partive të tjera shqiptare. Mirëpo, kur vjen puna te presidenti, matematika nuk del kurqysh… deri atëherë stay tuned në 91.1FM me Haxhën në “Pak ma drejt”.

Rezultatet tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese me 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7 mandate.

Tashmë pritet procesi i rinumërimit të një pjese të kutive të votimit dhe më pas shpallja e rezultateve përfundimtare.

Një raport auditimi ka zbuluar tenderë të dështuar, kontrata me negocim dhe një mori parregullsish në prokurim në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Sipas auditimit, ndërmarrja ka dështuar të realizojë disa tenderë të rregullt për furnizim me acid klorhidrik dhe mazut, duke u detyruar të lidhë kontrata me negocim në vlerë mbi 1.6 milion euro.

Auditori vlerëson se shkaku kryesor kanë qenë kriteret e papërshtatshme dhe mangësitë në dosjet e tenderëve. Raporti evidenton gjithashtu ndarje artificiale të kontratave, mangësi në dokumentimin e furnizimeve, probleme në menaxhimin e pasurive dhe dobësi në kontrollin e proceseve të tregtimit të energjisë.

Duke pasur parasysh se KEK-u është shtylla kryesore e prodhimit të energjisë në vend, gjetjet e raportit ngrenë shqetësime jo vetëm për menaxhimin e parasë publike, por edhe për sigurinë energjetike të Kosovës.

Një tjetër zhvillim me rëndësi lidhet me hetimet për masakrën e Reçakut.

Prokuroria Speciale ka arrestuar pesë persona serbë të dyshuar për krime lufte të kryera gjatë ngjarjeve të janarit 1999. Sipas dosjes së prokurorisë, njëri prej të dyshuarve shfaqet në pamje arkivore nga dita e masakrës, ndërsa hetimet mbështeten edhe në materiale filmike dhe dokumentarë të kohës.

Mbrojtja e të arrestuarve i ka mohuar akuzat, duke kundërshtuar provat e paraqitura nga prokuroria. Ekspertët e drejtësisë vlerësojnë se këto arrestime janë të rëndësishme për përpjekjet për zbardhjen e krimeve të luftës, por theksojnë se ende mbetet shumë punë për të siguruar drejtësi për viktimat.

Masakra e Reçakut mbetet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë.

Çdo hap drejt zbardhjes së së vërtetës mbetet i rëndësishëm, sado i vonuar të jetë.