Live Stories from Prishtina

LIVE

6 Gusht, 2026

Ekspozita retrospektive e artistes japoneze Yayoi Kusama është bërë më e vizituara në historinë e muzeut “Ludwig” në Këln, duke tërhequr afro 470 mijë vizitorë dhe duke vendosur një rekord të ri për institucionin që këtë vit shënon 50-vjetorin e themelimit.

Radhë të gjata vizitorësh, net me orar të zgjatur deri në orën dy të mëngjesit dhe interesim i vazhdueshëm deri në ditën e fundit e shndërruan ekspozitën në një fenomen kulturor.

“Për muzeun ‘Ludwig’ kjo ka qenë ekspozita më e suksesshme. Vizitorët jo vetëm që e shijuan, por e rekomanduan te miqtë dhe ndanë përvojën e tyre në rrjetet sociale”, ka thënë zëvendësdrejtoresha e muzeut, Rita Kersting.

Ekspozita theu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga ekspozita e Edward Hopper (2004–2005), e cila kishte tërhequr rreth 380 mijë vizitorë.

Retrospektiva përmbledh rreth 300 vepra që pasqyrojnë gjithë rrugëtimin krijues të artistes nga vizatimet e fëmijërisë deri te instalacionet më të reja.

Vizitorët kanë mundur të përjetojnë nga afër elementet më të njohura të krijimtarisë së saj: pikat karakteristike shumëngjyrëshe, tentakulat skulpturore dhe dhomat e pafundësisë me pasqyra, që krijojnë iluzionin e një hapësire pa fund.

Sipas Kersting, ekspozita arrin të kombinojë argëtimin me emocionin, një cilësi që rrallë shihet në artin bashkëkohor.

Yayoi Kusama, një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor, lindi në Japoni në vitin 1929. Fëmijëria e saj u shënua nga vështirësi familjare dhe probleme të shëndetit mendor, ndërsa që në moshë të hershme përjetonte halucinacione pamore dhe dëgjimore.

Ajo ka jetuar për dekada në mënyrë vullnetare në një spital psikiatrik, duke e kthyer artin në mënyrën e saj për të përballuar ankthin. Pikërisht obsesioni me përsëritjen, pikat dhe hapësirat e pafundme është bërë shenja më dalluese e krijimtarisë së saj.

Kusama tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare në vitin 1966, kur në Bienalen e Venecias prezantoi instalacionin e famshëm “Narcissus Garden”, të përbërë nga 1.500 sfera me pasqyra. Më vonë, në vitin 1993, ajo përfaqësoi Japoninë në të njëjtën bienale me një dhomë pafundësie me temë kungullin, një vepër që e konsolidoi përfundimisht si një nga artistet më të rëndësishme të kohës sonë.

Që atëherë, muzetë më prestigjiozë në botë kanë garuar për të organizuar ekspozita gjithnjë e më të mëdha të saj.

Edhe pse viteve të fundit janë organizuar ekspozita madhështore të Kusamas, përfshirë atë në Galerinë Kombëtare të Viktorias në Australi me dhjetë dhoma pafundësie, retrospektiva në muzeun “Ludwig” shkon edhe më tej.

Ajo përfshin rreth 300 vepra, mbi 100 më shumë se disa prej ekspozitave të mëparshme të artistes, si dhe një dhomë të re pafundësie, duke e bërë një nga prezantimet më gjithëpërfshirëse të krijimtarisë së saj.

Ekspozita qëndroi e hapur deri më 2 gusht në Këln dhe ndalesa e radhës do të jetë muzeu “Stedelijk” në Amsterdam, ku do të hapet në mesin e muajit shtator.