Fakte abstrakte
25 Janar, 2025
Sa bukur do të ishte sikur kreativiteti të ishte një rrufe që të godet në momentin e duhur!
Zgjohesh një mëngjes dhe zbulon gravitetin, ashtu siç bëri Isaac Newton.
Apo mbase sheh një ëndërr sureale dhe krijon një kryevepër si Dali.
Ose pse jo, hap sytë si Steve Jobs dhe vendos që bota ka nevojë për një telefon që do ta ndryshoj njerëzimin.
Tingëllon interesante! Apo jo!
Në realitet, e gjithë kjo është një mit i ëmbël, por e verteta është shumë më pak magjepsës.
Kreativiteti, në të vërtetë, është më shumë përpjelje se sa që mendohet.
Është një proces i lodhshëm që përfshin eksperimentime të pafundme, zhgënjime të panumërta dhe disa momente të ndritura që njerëzve do tu vendosin epitetin “gjeni”.
Sipas shkencëtarëve, frymëzimi nuk pikë nga qielli.
Mihaly Csikszentmihalyi, themeluesi i teorisë “Flow”, thotë se krijuesit më të mëdhenj kanë arritur aty ku janë jo se një shkëndijë hyjnore i goditi, por sepse eksperimentuan, dështuan dhe prap vazhduan të eksperimentojnë.
Nëse besoni se artisti që pikturon një kryevepër brenda natës është një legjendë, atëherë gaboheni.
Ai ndoshta ka kaluar muaj duke grisur fletët e zhgarravitura dhe duke mallkuar veten para se të arrinte diçka të denjë për syrin njerëzor.
E vërteta thuhet se është kështu, kreativiteti kërkon 10% talent dhe 90% punë
Le të flasim pak për mollën e Newton-it.
A mendoni me të vërtetë se ai gjeti gravitetin vetëm sepse një mollë ra në tokë?
Kjo është një histori që tingëllon bukur në libra, por realiteti është ndryshe.
Newton, reflektoi për vite mbi lëvizjen e planetëve dhe forcat që i drejtojnë ato.
Kreativiteti nuk ka nevojë për mrekulli, ka nevojë për shumë punë.
Graham Wallas, një tjetër mendje brilante, ka përshkruar një model krijimtarie me katër hapa. Përgatitja, inkubacioni, ndriçimi dhe verifikimi.
Së pari përgatiteni, mbledhni ide dhe eksperimentoni.
Pastaj, pushoni ngapak, duke i lënë idetë të inkubohen si vezët.
Dhe kur më në fund një ide ndrit në kokën tuaj, mos mendoni se puna mbaroi, ajo realisht sapo ka filluar.
Ironia qëndron në faktin se kur arrini te sukses, këtë proces të gjatë bota do ta kujtojë vetëm si një moment.
Ata nuk kanë në mendje netët pa gjumë, dështimet dhe dyshimet tuaja.
Për ta, suksesi juaj është një magji e çastit.
Por për ju, është një proces që ndoshta ju ka bërë flokët me thinja dhe keni përjetuar luhatje të shpeshta të qetësisë shpirtërore.
Pra, nëse dikush ju thotë se ka pasur një ide gjeniale në gjumë, lirshëm qeshni me zë.
Në realitet, edhe ëndrrat kërkojnë punë.
Kreativiteti nuk është një dhuratë që zbret nga qielli.
Është një proces i përditshëm, i lodhshëm por që ka diçka magjike në vetvete.
Gjithmonë mësohuni ta vlerësoni jo vetëm rezultatin por edhe rrugën deri atje.
Dhe kjo, do t’ju bëj “gjeni” të vërtetë.