Dje n’Kosovë
14 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Mirëmëngjesi i dashur lexues, uroj që kjo javë të sjellë ato që kaherë dëshiron: gëzimin që pret, ndryshimin që uron të të ndodhë, vizitën që shpreson ta realizosh, personin që mezi pret ta shohësh, shprehjen “të dua” që për herë të parë do t’ia thuash, apo do ta thonë ty. Sepse, përndryshe, nëse jeta nuk ka këto momente, çfarë kuptimi do të kishte?
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Një qeveri e qëndrueshme është ajo që i duhet Kosovës në situatën aktuale gjeopolitike – këtë e thonë e e dinë të gjithë, përveç atyre prej të cilëve pritet krijimi i qeverisë.
Çka me fol për dje në Kosovë, kur edhe dje është folur se a do të zgjidhet kryetari i Kuvendit? Kush e voton, a?
Vetëm nëse ndërron diçka në minutat e fundit.
LVV-ja nuk deklarohet as për emrin e kryeparlamentarit, as për mundësinë për ta krijuar qeverinë e re. Duket se çelësi është te NISMA Socialdemokrate dhe akomodimi i Duda Baljes dhe Veton Berishës.
Supozohet se momentalisht LVV-ja nuk i ka numrat. Përpjekja e Kurtit për ta joshur LDK-në që të bashkohet në qeverisje ra në ujë menjëherë. Abdixhiku refuzoi madje të takohej me të, duke përsëritur se mbetet në opozitë – përveç në rastin kur qeverinë e formon opozita, me të në krye të ekzekutivit.
Pra, duket se i ka të sigurta 48 votat e veta dhe eventualisht 7 të minoriteteve joserbe (përveç të dyve të përmendur më lart, votën nuk e jep gorani Hodža), dhe 1 votë të Rashiqit. Po qe se ka ndonjë marrëveshje me NISMËN, me tri të saj, bëhen 59.
***
Emisari amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, ka bërë thirrje që t’i ndalen fondet Gjykatës Speciale që e ka selinë në Hagë. Ai ka shkruar në rrjetin social “X” se kjo gjykatë është politike dhe se janë shpenzuar e shpërdoruar miliarda për llogaritë e saj.
Por sa kanë efekt të ndjeshëm këto deklarata për sistemin e Dhomave të Specializuara?
Kjo akuzë nuk erdhi kot – gjithçka ndodhi pasi Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, e ka pëlqyer një postim në “LinkedIn” që e kritikon administratën amerikane ku bën pjesë edhe ai.
Po qe se ndalet edhe financimi amerikan, si do ta dëmtojë kjo, meqenëse pjesën dërrmuese të financimit e mbulon BE-ja dhe shtetet evropiane si Zvicra e Norvegjia?
***
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) në Kosovë është rritur për 2.9 për qind në mars të 2025-ës, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar te produktet ushqimore si: kafe, çaj dhe kakao (+17.1%), perime (+8.7%), mish (+8.3%) dhe produktet e qumështit (+7.1%). Po ashtu, janë shënuar ngritje çmimesh edhe në shërbimet transportuese, hoteleri, kujdes personal dhe financa.
***
Kolektivi Sunrise ka ardhur në vikend me eventin e parë në Kosovë – e ku tjetër, përveçse në Zone.
Line-up-i me Anite, Cap, Gescu, Herodot, Liburn pa dyshim që e ka mbajtur skenën deri në agim. Sunrise, para ngjarjes, kishte thënë: “Na jena gjithmonë të lumtun me bo miq të ri dhe kujtime të mjegullume, prandaj na u bashkoni për debutimin tonë në Prishtinë, më 12 prill, në Zone Club, për një event me stil që do të mbyllet me disa nga talentët tanë më të mirë.”
***
Të jesh i mirë edhe kur askush nuk të sheh, nuk është dobësi – është një forcë që ndërton. Në një epokë kur indiferenca është e zakonshme, mirësia është revolucion. Dhe ata që e zgjedhin, janë ndoshta njerëzit që mbajnë gjallë shpresën se kjo botë mund të jetë më e butë, më njerëzore, më e drejtë.