Dje n’Kosovë
12 Nëntor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Truri yt, i dashur lexues, nuk është i krijuar për të pranuar dopaminë të lirë. Ai ka nevojë për lidhje të reja, rreze dielli, natyrë, pushim, ushtrime dhe muzikë të mirë.
Ani që nuk e di nëse truri yt do të përjetojë dopaminë kur të dëgjojë këto informata, ju patjetër duhet ta dini çfarë ndodhi dje në Kosovë për të kuptuar se ku duhet të përqëndroni energjinë tuaj.
Sot duhet të jetë ditë feste sepse ushtarët e FSK-ës dje kanë ngrënë për herë të parë biftek. Kështu tha ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Nuk e di, lexues, a ta marr këtë deklaratë si komike apo tragjiko-komike? Për çfarë mburrje po flasim? Për faktin që ushtarët nuk paskan ngrënë më parë biftek apo që bifteku i parë u provua në mandatin e kësaj qeverie?
Pas katër muajsh mungesë në Kuvend, kryeministri Kurti u kthye në ambientin më të dashur për opozitën, Kuvendin, vetëm për votimin e projekt-buxhetit të vitit 2025. E kur Besnik Tahirit të AAK-së, në formë habie, i shpëton një fjali manifestuese edhe për tri mandate të tjera për LVV-në (temë më vete), pozitës i bëhet zemra mal. Kjo e fundit e kalon pa votat e opozitës, në lexim të parë, projektbuxhetin.
Më shumë dukej sikur pjesëmarrja e Kurtit ishte për marrje të lavdërimeve popullore.
12 miliardë euro për katër vite të mandatit – a mund të më përmendësh, lexues, një investim madhor nga këto miliarda të këtij katërvjeçari?
Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë më 14 nëntor ekspozitën Shtëpia e Grave, e cila eksploron veprën e artistes së njohur feministe kroate Sanja Iveković, për politikën gjinore dhe trashëgiminë e saj të aktivizmit. E kuruar nga Hana Halilaj dhe Ivana Bago, ekspozita është e ndarë në dy trajtime tematike të artit dhe aktivizmit të Iveković. Seria Shtëpia e Grave përmban kaste të fytyrave të grave prej gipsi, të prodhuara në bashkëpunim me të mbijetuarat e dhunës në familje në Kosovë. Këto vepra përforcojnë luftën e vazhdueshme për të drejtat e grave dhe drejtësinë sociale.
Të zgjedhësh të duash, lexues, është vetë rreziku!