Live Stories from Prishtina

LIVE

11 Nëntor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Në jetë duhet provuar shpesh; gjithçka mësohet duke provuar. A ju ka ndodhur të provoni për herë të parë të gatuani diçka dhe ajo të ketë shijen fantastike? Ta shijosh rezultatin e mirë pas provave është kënaqësi më vete.

Dje në Kosovë***

Do të hyjnë në mandatin tjetër duke paraqitur grafikona! Ministri i Financave, Hekuran Murati, paska paraqitur një grafikon për mallin e kontrabanduar përgjatë viteve, i cili, sipas tij, është parandaluar gjatë tri viteve të fundit.

Zoti Murati, a keni mundësi t’i nxirrni paratë nga thesari i shtetit dhe t’i fusni në qarkullim? Do të doja të dija për çfarë po kursehen. Aiiihh… për faktin që është thesar nuk do të thotë që duhet të qëndrojë ashtu siç është; edhe ai është krijuar për t’u përdorur.

***

Sot mbahet seanca për shqyrtimin e parë të projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025. Në Vetëvendosje kanë paralajmëruar që i kanë votat e nevojshme për miratim, ndërsa partitë opozitare thonë se kanë shumë vërejtje, për çka kanë paralajmëruar votën kundër.

Kush ua ka siguruar votat Vetëvendosjes që janë të bindur se kanë shumicën? Tani, secili grup i opozitës në veti thotë se kanë për të hartuar projekt-buxhetin nga fillimi. Në mendjen e tyre po i hartojnë të gjitha, por në zbatim të gjithë po çalojnë!

***

Pas 25 vitesh, më në fund fshati Marec përuron memorialin e tij për dëshmorë dhe martirë. Ka katër vjet qëkur tenderi i parë u hap për rregullimin e këtij kompleksi. S’është i largët mendimi se kanë mundur edhe t’ia ndërrojnë drejtimin memorialit e të fillojnë ndërtimin e diçkaje tjetër.

Në betejën e Marecit më 1999 u vranë 17 ushtarë dhe 12 civilë.

***

Në teatrin Dodona, më 7 nëntor, shfaqja “Gratë e Trojës” riktheu historinë e pasluftës së grave të Trojës në një tematikë që është aktuale edhe sot në ‘luftrat moderne’. Me regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitićit, shfaqja do të jepet në Beograd më 22 dhe 23 nëntor.

Lexues, çdo histori vazhdon të thuret mes provave, përpjekjeve dhe kujtimeve që nuk harrohen lehtë.