13 Nëntor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Tung lexues! E di, e di që jo gjithmonë je në disponim të zgjohesh dhe të fillosh rutinën tënde, por mbaje vath në vesh këtë: mund të mos ndodhë këtë javë, mund të mos ndodhë këtë muaj, madje mund të mos ndodhë as këtë vit, por mos u ndal. Ajo çka është për ty nuk vjen kur ti dëshiron, por kur ty të duhet më së shumti!
E di që mund ta realizoj dhe me rreshta të parë të të informoj me diçka të mirë, e jo me informacione që na mbytin frymën. Si natyrë, “Paper” me shkrime ia del të jetë gjithmonë “dielli pas shiut”. Por, fatkeqësisht, duhet të diskutojmë gjithçka që ndodhi dje. Ndoshta, duke diskutuar së bashku për tragjeditë dhe ndikimin e tyre në shoqëri, nxjerrim në pah njerëzit që po na shkatërrojnë përditshmërinë.
Dje***
U përballëm me amatorizmin e institucioneve të sigurisë në kapjen e personit të gabuar në vend të kryesit të krimit.
I dyshuari për therrjen me thikë të katër personave në Ferizaj të hënën është arrestuar dje, megjithëse fillimisht u arrestua një tjetër person në vend të tij. Nuk më befason fakti që i dyshuari ka qenë i dënuar për vrasjen e një gruaje në vitin 2016. Gjakftohtësia e tij kur sulmonte viktimat (nëse keni pasur zemër ta shihni videon) është për t’u frikësuar.
Si janë ndjerë dje, lexues, vajzat e vogla 10-vjeçare të Ferizajt kur ecnin nëpër rrugët e qytetit? Si janë ndjerë prindërit, që nga frika kanë qëndruar të shqetësuar derisa fëmijët e tyre përfunduan mësimin dhe u kthyen në shtëpi?
Arsim***
Kemi një kurrikulë arsimore që normalizon një marrëdhënie intime mes shokëve dhe shoqeve të klasës, e cila përdoret si rast demostrimi në edukatën seksuale. Përmbajtja e librit përfshinë rreshta si “zgjedhni dikë që keni më pak shok/shoqe,” kinse kjo e zbut natyrën e detyrës. E në fund çfarë? Një ese se si janë ndjerë kur kanë prekur njëri-tjetrin? Për çfarë vlerash po flasim? A i kontrollon ndokush përmbajtjet e këtyre librave pasi të përkthehen, se përderisa është marrë si doracak nga ndonjë gjuhë e huaj, po e dimë si 1+1 që bëjnë 2. Ndoshta në matematikën e tyre bëjnë edhe tri? A… çfarë mendon ti, lexues?
Politikë***
Nuk po mbetet vend për politikë me kaq shumë kronika, që s’gjej dot fjalë më të zezë se e zeza për t’i përshkruar.
Në dy vitet e fundit, qeveria ka vendosur që librat për nxënësit e shkollave t’i blejnë prindërit vetë, duke i subvencionuar ata. Që nga ky vendim, çdo herë janë shfaqur parregullsi. Nuk kanë dalë paratë në kohë, nuk janë kompenzuar, dhe ka prindër që nuk i kanë marrë kurrë.
Ekspertët e Draftraportit të Komisionit Hetimor Parlamentar për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore kanë thënë se 6 milionë euro për këtë proces nuk kanë adresë. Janë gjetur shkelje në procesin e shprëndarjes dhe në menaxhimin material.
A do të shfaqeshin këto probleme nëse qeveria do të vazhdonte të siguronte vetë librat për nxënësit?
Kulturë***
Programi i filmave i “Kinemasë së Zgjeruar” ka filluar më 6 nëntor, por do të ketë filma edhe më 13, 20 dhe 27 nëntor në Kino Lumbardhi. Këtë muaj, filmat e përzgjedhur i dedikohen temës “Në rrugë,” duke na ftuar të shohim dhe njohim udhëtarë në gjeografi dhe kontekste sociale të ndryshme. Temë e njohur për ne shqiptarët, që shpesh kemi kaluar udhët.
***
Mos i mbaj mbi supe ngjarjet e rënda që kanë ndodhur dje, lexues. E tëra çka mund të bësh si përfundim është të krijosh ndikim te njerëzit përreth dhe te fëmijët që ke në familje, për t’u treguar atyre gjërat që nuk duhen bërë dhe shembujt që nuk duhen ndjekur. Kështu tregon që ti je një vlerë e shtuar e shoqërisë sonë!