Live Stories from Prishtina

LIVE

April 6, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Kur zgjedhim të udhëtojmë, zakonisht vizitojmë vende që na shpie kurioziteti dhe që ka një histori për t’u treguar, ku ka diçka të fshehur për t’u parë dhe më e rëndësishmja, atëherë kur dëshirojmë të dalim jashtë pistave që i hasim në përditshmëri.

Nga të mësuarit rreth kontekstit historik dhe politik të një destinacioni, deri tek gjetja e disa shtigjeve vërtet të shkëlqyera, çdo vend i ri ka një fshehtësi për ta zbuluar.

Por, çfarë mund të vizitojmë në Kosovë?

Ajri i pastër dhe peizazhet natyrore janë vende të mrekullueshme për të kaluar vikendet. Një fshat i gjelbëruar e i gdhendur me shtigje për ecje dhe i kornizuar nga mure guri, është një ndër alternativat e duhura për t’i kaluar ditët nën diellin pranveror.

Për të shijuar këtë pamje si tërësi ju mund ta kaloni një ditë duke e vizituar Kalanë e Artanës, një kala mesjetare dhe monument i kulturës, e cila ndodhet në një mal të vogël ndërmjet Përlepnicës dhe Krivarekës, teksa rrugës do të shoqëroheni me flladin dhe madhështinë e Lumit Badovc. Pasi të njoftoheni me historinë e kësaj kalaje, vizitën mund ta shfrytëzoni duke kaluar ditën në fshatin jo shumë larg kalasë Stanishor, ku ju mirëpret ngrohtësia e mrekullueshme e rrezes së diellit, e mbështetur nga hijet e drunjëve.

Në Stanishor do të gjeni shtëpizat e vogla nga guri, të cilat i janë përshtatur pranisë së kalasë. Pranvera do t’iu lë shije ndryshe, kur do të provoni ushqimin vendas të Artanës, me praninë e restorantit dhe fushës për loja, që ju ofron hapësirë për atraksione të ndryshme.

Nga ana tjetër e Kosovës në pjesën veriperëndimore të Pejës, i rrethuar me fshatra simpatikë dhe vila të bukura, Liqenati i Rugovës është një arratisje magjepsëse në shtrirjen e Bjeshkëve të Nemuna. Ngjyra e kaltër e liqenit do të marrë vëmendjen tuaj, dhe do t’iu ngjallë dëshirën për të notuar në ujin e ftohtë të liqenit. Para se të arrini në Liqenat, ju mund të shfrytëzoni rrugën për hiking në pjesët më të larta të Bjeshkëve të Nemuna.

Në Rugovë do të keni kënaqësinë të provoni djathin rugovian, i cili të jep ndjenjën e mëngjeseve të hershme dhe të freskëta pranverore.

Pikërisht në rrafshin e Kosovës mes Sllatinës dhe Lipjanit, ju do të hasni diçka më ndryshe për një vizitë të paradites apo pasdites, pikërisht në “Ligatinën e Hencit”, e njohur ndryshe si parajsa e shpezëve. Prania e madhe e shpezëve dhe prania e mjaftueshme e ushqimit bëri që zona të shpallet e mbrojtur edhe me ligje, në rast se dikush tenton të zhvillojë gjueti ndaj shpezëve. Dredhalakët, çapka e hirtë, pulëbardhat, dallëndyshja ballëbardhë, kolovaci, bilbili i kallamave, çafkat e verdha, rosat e egra e lejleku i zi (specie në zhdukje), të gjitha janë shpendë që qëndrojnë dhe shtegtojnë në ligatina, oaza dhe këneta.

Prania e fotografëve është e madhe në çdo stinë, pasi që ata çdoherë dokumentojnë edhe praninë e shpezëve të reja. Peshkimi në këtë zonë është i ndaluar, andaj juve ju mbetet vetëm ta shijoni pamjen që ofron kjo kënetë.

Mjaftojnë vetëm pak orë për t’i vizituar disa nga vendet më të bukura të Kosovës, por meqenëse stina e pranverës karakterizohet me mot me diell e herave tjera edhe me shi, ne krijuam një mini-listë të disa prej vendeve që mund t’i vizitoni në këto ditë.

Në këtë rast, juve ju mbetet ta shijoni atmosferën e udhëtimit dhe rrezet e diellit nën praninë e familjarëve apo shoqërisë tuaj.