Live Stories from Prishtina

LIVE

September 26, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty! 

Njerëzit, i dashur lexues, njerëzit e bëjnë botën këtë që është! Shumë të mirë, të hidhur, të brishtë, të lumtur, ne e bëjmë pra. Mendo për raportet që ke me njerëzit, ato janë thelbësore.

***

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se mesazhi i shtetit të tij është shumë i qartë dhe i thjeshtë: që Kosova dhe Serbia të veprojnë në përputhje të plotë me të gjitha obligimet e marra në dialog, teksa ka shtuar këtë deklaratë:

“Gjyshi im ka thënë, dhe ju lutem më falni për karakterin paksa të shëmtuar të fjalës, se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino te dera e klubit.”

A nuk ka qenë Qeveria e Kosovës e paralajmëruar gjatë muajve të fundit që partneriteti nënkupton që të dyja palët investohen në partneritet? Nëse ne, si qytetarë të Republikës së Kosovës, mendojmë që prishja e raportit me Amerikën i kontribuon Kosovës në mirëqenie, shtet-ndërtim e të tjera, a nuk treguam përsëri që jemi e zeza e vetes? Amerika dhe vendet e tjera e kanë njohur sovranitetin e Kosovës. Por mos vallë ne e kemi ngatërruar sovranitetin me privilegjin? Sovraniteti nënkupton përgjegjësi. E ne sovranitetin e kemi marrë si privilegj, dhe po mendojmë që mund të bëjmë gjithçka, pastaj, kur të jemi “ngushtë, në zor”, kërkojmë ndihmë. Çdo veprim dhe vendim i qeverisë së Kosovës paguhet. A nuk lidhet deklarata e ambasadorit amerikan me nevojat e kahershme të Kosovës për anëtarësim në KE, NATO, BE etj.?

A ka më efekt deklarata si kjo e ambasadorit në popullatën tonë?

A mendon dikush që një klasë politike ka bërë sakrificë personale për ta ruajtur aleancën me SHBA-në, pavarësisht faturës që e pagujnë sot?

***

Serbia e ka përzgjedhur tashmë filmin me të cilin do t’ia mësyjë çmimit më të madh në fushën e kinematografisë. Filmi “Konsulli rus” është kandidati për “Oscar” dhe, në thelb, është një film propagandistik, me ëndrrën për Kosovën si pjesë të Serbisë dhe spastrimin e serbëve.

Ka qenë pa konkurrencë në garën për t’u bërë kandidat; ka marrë nëntë votat e komisionit të Qendrës Kinematografike të Serbisë, duke lënë prapa konkurrentët e tjerë me nga dy a tri vota, dhe anëtarët e kësaj “jurie” shohin potencial të madh jo vetëm për trofeun.

A ka propagandë brenda këtij filmi, si në shumë filma të tjerë serb që përfshijnë historinë?

***

Ëndrra prej të cilës ti frikësohesh më së shumti që ta realizosh, është shpëtimi yt!