N’Kosovë
September 25, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Çfarë mëngjesi kaotik dhe domosdoshmërisht i detyrueshëm për të funksionuar! Fakti që ti dhe unë s’kemi pushuar, fakti që kemi filluar ditën keq, fakti që sot kemi shumë punë për të bërë… fatkeqësisht, askujt nuk i bën përshtypje, i dashur lexues, sepse të gjithë janë të zënë me realitetin e tyre.
Ky ishte ndikimi i ngjarjeve të djeshme të Kosovës tek unë:
***
Një vit pas Banjskës, nga BE-ja dhe SHBA-ja vetëm janë përsëritur thirrjet e njëjta, të cilat Serbia, me të drejtë, nuk i merr seriozisht, sepse nuk janë serioze. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ndër të parët e kishte quajtur sulmin në Banjskë para një viti si “sulm terrorist”. Pa marrë parasysh veprimet e Kosovës kohët e fundit, e cila me të drejtë po përpiqet të integrojë veriun në institucionet tona, ato në të njëjtën kohë po konsiderohen vendime të pakoordinuara. A është sulmi i Banjskës çështje jetike për sigurinë e Kosovës? A mund të ndodhë sërish një sulm i tillë nëse Serbia nuk dënohet për këtë sulm? A e ka Vuçiqi “lakun në fyt” me sulmin ndaj Banjskës?
***
Procesi i Berlinit – me apo pa Kosovën?
Samiti i Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz, synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë. Aktualisht, tregtia e lirë realizohet përmes CEFTA-s, por Kosova e ka refuzuar këtë rrugë në të kaluarën, pasi përfaqësohej nga UNMIK-u dhe jo si shtet i pavarur.
Qëllimi i samitit është përfshirja e Kosovës si shtet i pavarur në një marrëveshje të ngjashme me CEFTA-n, gjë që mund të realizohet vetëm në kuadër të Procesit të Berlinit, ku Kosova tradicionalisht përfaqësohet si shtet dhe me të gjitha simbolet shtetërore.
A do të largojë qeveria e Kosovës bllokadën aktuale ndaj produkteve serbe, e cila është shkelje e parimeve të CEFTA-s, dhe njëkohësisht kusht që Kosova të marrë pjesë?
***
Sukseset e institucionit shtetëror të baletit të Kosovës, pavarësisht kushteve ku ushtron punën!
Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës të hënën në mesditë ka marrë rrugën për në qytetin Cheonan, që ndodhet rreth 80 kilometra larg kryeqytetit, Seulit. Festivali i vallëzimit “Cheonan World Dance Festival” është adresa. Mbahet prej 25 deri më 29 shtator. Me fragmente nga baleti klasik “Halili e Hajria” dhe veprat e fundit bashkëkohore “Aeon” dhe “Tango Nights”, institucioni shtetëror e çon traditën 50-vjeçare të vendit në cepin tjetër të botës, në shtetin aziatik.
***
Kujto obligimet, i dashur lexues, kujto se kush e pyet një mjek, mësues apo zjarrfikës sa është në disponim ta kryejë punën e tij/saj. Askush nuk mund të rrijë dhe të presë derisa të bëhet mirë; ne kemi obligime!