N’Kosovë
September 27, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Mos kërko të kthehesh në kohë, i dashur lexues, gjithçka prap njësoj do të përfundonte! Gjërat ndodhin ashtu siç është më mirë për ty. Besoji procesit të kohës!
Çfarë pe për 24 orë në Kosovë dhe çfarë nënkuptojnë këto për mua?
***
Vizitat në SHBA po vazhdojnë për Kosovën. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vendit të saj me Shtetet e Bashkuara, jo vetëm për çështje që lidhen me dialogun me Serbinë. A ka rënë bashkëkoordinimi mes kryeministrit dhe presidentes? A nuk ishin dikur “një gojë”? Presidentja e di që reduktimi i raporteve Kosovë-SHBA nuk i bën mirë Kosovës. A do të ketë ripërkushtim nga ana e saj dhe e kryeministrit për të vazhduar të ardhmen e dialogut?
***
Nga ana tjetër, kryeministri Kurti ka folur me kryeministrin grek për “mënyrat e forcimit të lidhjeve diplomatike”. Greqia, së bashku me Qipron, Rumaninë, Spanjën dhe Sllovakinë, përbën pesëshen e vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të cilat janë pjesë e Bashkimit Evropian. A mos vallë do të shohim përfitime nga ky takim dhe vjen ndonjë njohje? Vitin e fundit, sidomos që nga liberalizimi i vizave, Greqia ka pasur një numër të madh vizitorësh nga Kosova.
***
Shqipëria do të bëjë më 15 tetor një hap historik në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke hapur kapitullin e parë të këtyre negociatave. A do të ketë rol pohimi i fundit i kryeministrit Rama për shtetin Bektashi në këtë proces? A do ta lehtësojë anëtarësimi i Shqipërisë edhe rrugën e Kosovës, apo Kosova e ka si zgjidhje përfundimtare vetëm përmbylljen e dialogut?
***
Çdo shtetas i Kosovës që posedon 1.6 milionë euro dhe dëshiron të blejë një monument të shekullit XVIII me 15 ari truall në zemër të Mitrovicës, adresa është e gatshme: Hamami i Vjetër. Ky monument ikonik i qytetit është nxjerrë në shitje nga pronarët. Institucionet e shtetit nuk dinë asgjë. Së fundmi, aty, në vitin 2022, janë investuar gati 90 mijë euro. Përderisa aneksi shërben si restorant, pjesa e Hamamit nuk ka kurrfarë destinimi. (raporton KohaNet). Çfarë ndodh me blerjen e tij? A prishet ky monument historik?
***
Ti që sapo përfundove këtë artikull, shpresoj që ke filluar ditën mbarë dhe që sot je më mirë se dje!