Live Stories from Prishtina

LIVE

March 21, 2024

Përshtatje nga artikulli i revistës Poosh.

Ëndrrat janë unike në atë që të gjithëve u pëlqen t’u tregojnë njerëzve të tjerë për ëndrrën që sapo kanë parë, por shumë pak prej tyre u pëlqen të dëgjojnë ëndrrat e të tjerëve. Nëse e gjeni veten tek kjo pjesa e fundit, atëherë ju nuk jeni analist i ëndërrave.

Revista Poosh, na ofron një kuptim pas ëndrrave dhe dy përfitimet që mund të marrim nga ëndërrimi.

Tashmë i njohim disa fajtorë të zakonshëm të ëndrrave të çuditshme, ndërsa do të ndajmë fillimisht edhe detajet pse ëndrrat janë kaq të rëndësishme.

Jean-Baptiste Beau, themelues dhe CEO i aplikacionit të ëndrrave Oniri, i është përgjigjur pyetjeve të Poosh rreth ëndrrave.

Së pari, çfarë janë ëndrrat?

Ëndrrat janë përvoja që kemi gjatë gjumit. Ato mund të marrin shumë forma, por më të zakonshmet janë historitë që mund të zgjasin nga disa minuta në dhjetëra. Ato zakonisht lidhen me një komponent të fortë vizual dhe një rrëfim që ka prapavijë, të cilin e ka ruajtur nënvetëdija jonë ose nga ndonjë ngjarje e ngjashme që na ka ndodhur në të kaluarën ose së fundi, ka thënë Jean-Baptiste për revistën.

“Këto lloj ëndrrash ndodhin gjatë REM sleep (rapid eye movement sleep) apo në shqip, gjumi me lëvizjen e shpejtë të syve. Gjumi REM është një nga fazat që kalojmë gjatë gjumit dhe është kryesisht i përqëndruar në fund të natës”.

Çfarë ndodh ndërkohë që ne ëndërrojmë?

“Truri ynë krijon koktej të veçantë kimikatesh kur ëndërrojmë. Është mjaft e ndërlikuar, por, për ta thënë thjeshtë, disa kimikate që na bëjnë vigjilent dhe të vetëdijshëm ulen, ndërsa kimikatet që përmirësojnë të mësuarit dhe kujtesën rriten”, shpjegon ai.

Dy përfitimet më të rëndësishme nga të ëndërruarit:

1. Përpunimi emocional

Përfitimi më i rëndësishëm i ëndrrave, në kuptimin tonë aktual, është përpunimi emocional. Ëndrrat janë thelbësore për të na ndihmuar t’i kapërcejmë gjërat dhe t’i përpunojmë ato.

Ju mund të keni dëgjuar shprehjen “koha shëron të gjitha plagët”, ku në fakt nuk është koha, janë ëndrrat.

“Sa më shumë të ëndërroni për një ngjarje të vështirë (si ndarja apo humbja e një të afërmi), aq më mirë do ta përpunoni atë. Në rastin e PTSD (çrregullimi i stresit post-traumatik), ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis traumës së njerëzve dhe mosfunksionimit të ëndrrave” , thotë Jean-Baptiste

Pra, ëndrra e përsëritur që vazhdoni të shihni për ish-in tuaj toksik nuk është një shenjë për t’i kontaktuar ata. Është shenjë e kujtimeve tuaja të mbajtura brenda.

2. Aftësitë e njohjes dhe e zgjidhjes së problemeve

A jeni zgjuar ndonjëherë me një zgjidhje për një problem apo një pasqyrë të re rreth një situate? Kjo është edhe për shkak të ëndrrave. Ëndrrat janë një mënyrë për trurin tonë për të lidhur njohuritë dhe për të ndezur ide të reja. Ato luajnë një rol të rëndësishëm për të na ndihmuar të zgjidhim problemet dhe të përmirësojmë aftësitë tona njohëse.

Pra, nëse nuk mund të kuptojmë një problem në punë, a duhet të shkojmë të bëjmë një sy gjumë aq të gjatë sa të futemi në gjumë REM dhe të ëndërrojmë? Mendojeni!