Live Stories from Prishtina

LIVE

October 19, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Kur mendoni se ku dëshironi ta pini kafen tuaj të mëngjesit, padyshim se një rol të rëndësishëm vendimmarrës e luan edhe lokali apo enterieri që ta ofron ai vend.

“Paraqitja e së bukurës është një avantazh i theksuar që ndikon në disponimin tonë.”

Po e fillojmë artikullin me njërën prej kafeneve me enterierin më të bukur në Evropë – me magjinë parisiane – të cilët e konsiderojnë të ndenjurit në kafe dhe shijimin e atyre momenteve si qetësi në vete.

Maison Sauvage, Paris

Zona Saint Germain-des-Prés, në Paris është e njohur për rrugicat e saj simpatike dhe kafenetë që janë thjesht estetikisht të bukura. Në qoshen e një rrugice gjendet Maison Sauvage, e identifikuar për pjesën e murit të mbuluar me lule, të cilat varësisht nga stina e ndryshojnë edhe ngjyrën, nga e bardha në të vjollcë. Me disa karrige të vogla nga metali ngjyrë të gjelbër dhe tavolina të vogla të destinuara për katër persona, të cilat qëndrojnë rreth e rreth lokalit, ato kapin qendrën e lokalit. Vendasëve ju pëlqen ta shfrytëzojnë këtë pjesë të tarracës gjatë verës e cila kaplohet nga hijet e ndërtesave të larta. Përveç tarracës, pjesa e brendshme është e ndritshme dhe e ngrohtë, duke i dhënë asaj një atmosferë tërheqëse dhe komode, e cila është e dekoruar me shporta të thurura dhe lule me ngjyra të llojllojshme. Këtë lokal mund ta vizitoni për një vakt të mëngjesit, pasi kafen mund ta shoqëroni me bukë të sapo pjekur dhe ëmbëlsira të bëra vetë.

Antico Caffé Della Pace, Romë

Gjetja e kafenesë më të mirë në Romë është një biznes serioz. Gjënë e parë që italianët e bëjnë në mëngjes është të shkojnë në kafene dhe rrjedhimisht t’i vizitojnë dy ose tri prej tyre përgjatë ditës. Në Romë, si në pjesën më të madhe të Italisë, pija e zgjedhur zakonisht është un caffè (një espresso), ose nëse është koha e drekës, një cappuccino. Në mes të vizitave në Koloseum ose Panteon, sigurohuni që çdo udhëtim në kryeqytetin italian të jetë i planifikuar siç duhet për kafene. Mes thjeshtësisë dhe elegancës, njësoj i bukur qëndron edhe kafe Antico Caffé Della Pace. Mes rrugëve me kalldrëm dhe tavolinave të vendosura pikërisht aty, është “muri i gjallë i blertë” i varur kudo në muret e lokalit që i jep hijeshinë e duhur këtij vendi, teksa nga brenda Antico Caffé e ka ruajtur antikitetin me disa karrige druri dhe shankun gjigand, me lloje të ndryshme të alkoolit. Kjo kafene ia vlen të vizitohet vetëm për të ndjerë kaosin e rrugicave italiane.

Soma Book Station, Prishtinë

Soma Book Station konsiderohet si një nga hapësirat më të bukura në Prishtinë, si nga ana estetike ashtu edhe nga mënyra se si shijojnë këto ushqime, teksa ofron edhe shumë funksione të tjera si librarinë, ekspozitat, vinyls dhe diskutime të ndryshme kohë pas kohe. Nëse nuk hyn brenda Somas, atë nuk mund ta identifikosh se si duket vetëm nga hyrja, pasi hapësira e gjelbër përreth pemëve, e lë vendin të duket më misterioz. Brenda saj ju pret një hapësirë e gjerë në tarracë me tavolina të thjeshta por veçantinë ja shton qetësia që ruan brenda vetes ky ambient dhe muzika e saj. Me të hyrë brenda lokalit, objekti ngjason me kafenetë franceze teksa ndahet në disa kënde, një pjesë ku janë të vendosura raftet me libra dhe vinyls, pjesa e karrigeve të vendosura tek ishulli në mes të objektit, pjesa e ulëseve në formë të divanit, e cila është e përdorshme kur ka më shumë persona dhe kur drekohet apo darkohet, pjesa e tavolinave të gjata dhe pjesa e tavolinave pranë dritareve. E ndërtuar nga tullat, ajo ruan temperaturat e freskëta gjatë verës kurse është më e ngrohtë gjatë dimrit. Ndriçimi brenda përdorë dritën klasike për t’u përshtatur me ambientin e lokalit. Teksa struktura e saj nga jashtë si një shtëpi gjigande multifunksionale karakterizohet me disa kulme, të cilat nga brenda mbajnë ventilimin nga tubat e ajrimit të cilat i japin një pamje më interesante vendit. Në Soma është e vështirë për të marrë një tavolinë të premteve dhe të shtunave, prandaj sigurohuni që të rezervoni tavolinën tuaj paraprakisht.

New York Café, Budapest

Thuhet se është kafeneja më e bukur në botë dhe është e vështirë të mos pajtohesh pasi të hysh në këtë pallat përrallor. Brendësia e saj me tavan të lartë e rrethuar me detaje nga ari, të zbukuruara me afreske dhe llaç, krijojnë atmosferën ëndërrimtare të një epoke të shkuar, duke na kujtuar se kjo kafene dikur ka qenë e preferuara mes elitave letrare dhe artistëve të Budapestit.

New York Cafe Budapest të dhuron ndjesinë si të udhëtosh pas në kohë, kur gratë mbanin çdo ditë fustane të qëndisura me dantella dhe kapela kur mblidheshin për çaj dhe ëmbëlsira në dhomat e shkëlqyera të çajit si kjo. E titulluar me emrin e një prej qyteteve më glamuroze në botë, ajo është një pjesë e mahnitshme e historisë, që daton që nga viti 1894, me stilin eklektik të Rilindjes italiane me afreske të jashtëzakonshme që zbukurojnë tavanet, shtylla të veshura me ari në kolona, llamba veneciane dhe ngjyra të mrekullueshme që të lënë pa fjalë.

Municipal House Café, Pragë

E vendosur në objektin shtetëror të komunës, Municipal House Café është po aq e bukur si nga jashtë edhe brenda. Brendësia e Art Nouveau identifikohet me tavane të larta, dritare të mëdha, pasqyra, llambadarë të mrekullueshëm kristali dhe më shumë. Kafeneja përmban një përzgjedhje të madhe të kafeve, çajrave, pijeve, sallatave, ushqimeve të lehta, sanduiçëve dhe ëmbëlsirave, duke përfshirë ëmbëlsira të bëra vetë që do t’ju lënë për të dëshiruar edhe një vizitë tjetër. Ky vend rikthen magjepsjen e së kaluarës dhe u shërben atyre që kërkojnë një eksperiencë më tradicionale. Kafeneja Municipal House është një vend ideal për një mëngjes të lehtë (kafe dhe një kroasant), apo edhe një mëngjes të mbushur (si ai anglez), përpara se të filloni të vizitoni bukuritë në qytetin e përsosur me kartolina të Pragës. Kjo hapësirë është ideale për ushqim të shijshëm dhe arkitekturë mahnitëse.

Café Central, Vjenë

Kjo hapësirë identifikohet si vendi ku hynë personalitete, si psikanalisti Frojdi, disa shkrimtarë dhe poetë përfshirë Polgarin, Cvajgun dhe Altenberg dhe arkitektin Loos. E vendosur në qendrën e Austrisë, Café Central me stilin e saj unik mesdhetar, nuk ka shumë dallim nga dy kafenetë e përmendura më lart. Ajo çka e thyen natyrën mbretërore në këtë vend janë dekoret e shumta nga lulet gjigande, mirëpo ajo mbetet unikja e Vjenës – me shumë klas dhe më e vjetra. Me ndriçimin e tepërt në tavanet e larta, poshtë kupolave të objektit të saj gjenden ëmbëlsirat që e identifikojnë atë.

Këto kafene janë më të preferuarat e turistëve ndër vite. Ne ju ofruam disa nga detajet që i karakterizojnë këto kafene dhe se çka duhet me të vërtetë të vizitoni. Shijojeni!