Live Stories from Prishtina

LIVE

December 29, 2022

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

E dëgjova diku një thënie që shpesh më bën të mendoj.

“Dashuri do të thotë t’i japësh dikujt fuqinë që të të shkatërroj!”. Kjo thënje më asocioi shumë me emrin e ekspozitës së hapur në Paper Gallery “Find Something You Love, and Let It Kill You”, e cila më bëri kureshtare të kuptoj më shumë për konceptin që nga hapja, më 19 dhjetor.

Vetëm nga titulli që përfaqëson kjo ekspozitë, e meriton ta vizitoni dhe të shikoni se çfarë ka për të parë. Hapësira katërore e saj, me muret e bardha ju lë ta shijoni çdo pikturë e cila qartë e vë në pah kubizmin dhe dominimin e ngjyrës së purpurt.

Ky është projekti tjetër magjepsës i Paper Gallery në bashkëpunim me Prishtina Biennale, ‘’Find Something You Love, and Let It Kill You’’ është kuruar nga Mentor Ejupi-Toro, në kuadër të projektit ‘’Në Duart Tona‘’.

Veçantia e ekspozitës qëndron mes kimisë që ka literatura dhe piktura, të cilat ndër vite kanë shërbyer si muzë për njëra-tjetrën.

Literatura dhe piktura kanë qenë gjithmonë shtytje për njëra tjetrën, ku janë bërë shumë shkrime për tema të marra nga pikturat e ndryshme, e po ashtu janë bërë dhe bëhen akoma shumë piktura të bazuara në ngjarjet e librave nga mjeshtrit e literaturës. Autori i mirënjohur Charles Bukowsky ishte ai i cili shtyu artistin të merret me ilustrimin apo pikturimin e jetës dhe veprës së autorit autobiografik.

“Gjatë vitit të kaluar derisa po udhëtoja në metron e metropolit tim, po lexoja gazetën ‘Zeit’ dhe hasa në një shkrim të mrekullueshëm, ishte letër këmbimi në mes të Charles Bukowsky dhe Henry Miller. Isha aq i koncentruar në leximin e letrës saqë kisha kaluar stacionin ku do të duhej të zbritja, më dukej vetja se jam në një dhomë në New York dhe po lexoja letrën që më kishte dërguar Charles “, interpreton artisti.

Artisti Toro përzien me kënaqësi elementet stilistike të Pop Artit dhe Kubizmit, duke punuar me ngjyrën bazë të purpurt dhe tepër me teksturën. Janë kompozicioni, perspektiva maestrale, abstraksioni dhe dinamika, elemente të cilat e bëjnë të dallojë puna e Mentor Ejupit – Toro ndër vite.

Ekspozita është e e përbërë nga 10 piktura të adaptuara në hapësirën e galerisë dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 19 janar 2023.

Deri tash brenda hapësirave të Paper Gallery janë mbajtur disa ekspozita që kanë qenë në bashkëpunim me Prishtina Biennale. Ekspozita e fundit ishte nga Musë Prelvukaj “Retrospektivë”, e cila ka shfaqur punën e artistit nga vitet e ’60ta deri sot. Si student i gjeneratës së parë që diplomoi në Akademinë e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës, teknika e tij e vizatimit na dha shumë dramacitet dhe elemente analitike me shkronja dhe simbole.

Në muajt në vazhdim, hapësira jonë do të ndajë edhe më shumë art për ju. Stay Tuned!