Live Stories from Prishtina

LIVE

January 4, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

Mund të themi se është e vetmja natë, të cilën të gjithë e presim orën 00:00 zgjuar për ta festuar ardhjen e Vitit të Ri.

Çdo 31 dhjetor festohet ndryshe nëpër botë. Tek familja ime (dhe besoj që tek shumica e familjeve shqiptare), mëngjeset e natës së Vitit të Ri janë një kaos i vërtetë. Dikush del për blerje, dikush gatuan ushqimet, dikush dekoron shtëpinë, ndërsa të tjerët përgatisin tryezën që çdo gjë të jetë perfekte për ta festuar natën e fundit, të vitit që po e lëmë pas.

Tradita për t’u mbledhur së bashku dhe për ta festuar natën e Vitit të Ri është një kënaqësi që nuk e përjetojmë çdo ditë. Andaj, kjo natë mbetet si njëra nga festat e preferuara të mija.

Por, si u festua ndërrimi i motmoteve nëpër botë?

Këtë vit, festimet e përvjetshme në Times Square morën vëmendjen duke u mbajtur me kapacitet të plotë, pasi festa kishte grumbulluar shumë njerëz pavarësisht se binte shi.

Vendet si Opera e Sidneit, London Eye në Londër dhe Burj Khalifa në Dubai, vazhduan me traditën e fishekzjarreve spektakolare teksa ora shënonte mesnatën. Kurse, vendet si Hawaii dhe Brazili e festuan Vitin e Ri në plazh shkaku i kohës së nxehtë, duke përcjellur hedhjen e fishekzjarreve nga rrethi i detit.

Por, me cilat tradita e festojnë vendet e ndryshme në botë këtë festë?

Rusia

Në Rusi, njerëzit shkruajnë dëshirat e tyre në një letër në natën e Vitit të Ri dhe i djegin ato. Pas kësaj, hiri i letrës së djegur përzihet me shampanjë dhe pihet nga personat që shprehën dëshirat. Në Rusi, ekziston besimi se dëshira e tyre në këtë formë do t’i motivojë ata të arrijnë qëllimet e tyre në vitin e ardhshëm.

Kili

Në natën e Vitit të Ri, njerëzit në Kil hanë një lugë plot me thjerrëza dhe mbajnë një monedhë në fundin e këpucëve. Besimi pas kësaj është se ata do të marrin para në çdo hap të Vitit të Ri. Ata e nisin vitin me besimin se do të marrin pasuri gjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm të vitit.

Danimarka

Në Danimarkë, personat që dëshirojnë të shprehin dashurinë e tyre ndaj partnerëve thyejnë gota dhe pjata në dyert e lagjes me shpresën se do të marrin në këmbim dashurinë që dhurojnë. Disa prej tyre madje qëndrojnë në karrige dhe kërcejnë pikërisht në orën 12 të natës së Vitit të Ri.

Ekuador

Tradita në këtë pjesë është djegja e shëmbëlltyrave të politikanëve dhe gjithashtu të njerëzve që nuk i pëlqejnë. Logjika qëndron pas ritualit të heqësh qafe energjitë negative të vitit të kaluar. Të tilla organizime bëhen edhe në në Paraguaj, Kolumbi dhe Panama.

 Gjermania

Në natën e Vitit të Ri, gjermanët shkrijnë copat e plumbit dhe i hedhin në ujë. Forma e cila arritet gjatë ftohjes, merr interpretimin si e ardhmja. Në këtë mënyrë ata interpretojnë ngjarjet e vitit të ardhshëm.

Greqia

Grekët këndojnë këngë në natën e Vitit të Ri. Fëmijët marrin para nga të moshuarit dhe fqinjët e tyre pasi këndojnë këngët e Vitit të Ri. Kur fillon numërimi mbrapsht për Vitin e Ri, ata fikin të gjitha dritat në mënyrë që Viti i Ri të fillojë me një notë të re.

Në disa zona të Greqisë, ekziston një traditë e ngrënies së Vasilopitës (një lloj torte). Ata fshehin monedha në tortë. Viti i Ri konsiderohet me fat për këdo që merr monedhën në copën e tij të tortës.

Spanja

Në Spanjë dhe në vendet e tjera që flasin spanjisht, ekziston “tradita e ngrënjes së rrushit për dymbëdhjetë herë radhazi” në natën e Vitit të Ri. Njerëzve në Brazil u pëlqen të hanë rrush në mesnatë, gjë që nënkupton fat të mirë për dymbëdhjetë muajt e ardhshëm të vitit.

Nëse ndonjëherë planifikoni ta festoni natën e fundvitit në ndonjë vend të botës, ne ju propozojmë këto shtete ku ju mund t’i përjetoni traditat e tyre për së afërmi.