Live Stories from Prishtina

LIVE

November 10, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Janë të paktë njerëzit të cilët nuk lodhen duke e bërë punën e tyre dhe që e konsiderojnë veten se kanë lindur për atë punë. E kur dashuria dhe talenti kombinohen, del diçka unike në pah, e shumë më kaq kur ajo vlerësohet për vite pa ndalur.

Gianni Versace është ndër personat e paktë për talentin e të cilit flitet edhe sot, 25 vite pas vdekjes së tij. Kultura italiane e cila bën për vete shumë persona; si me ushqim, natyrë, art ashtu edhe me modë, arriti të ngulitet në zemrat e të gjithëve kur solli në skenë dizajnerin Versace. Ai është një nga dizajnerët më të talentuar të fundit të shekullit të 20-të. Versace ka lindur në Reggio Calabria në Italinë Jugore. Koleksioni i tij i parë u lansua në Milano në vitin 1978, dhe më pas i ndihmuar nga talenti i vëllait të tij Santo dhe motrës Donatella, ai krijoi perandorinë jashtëzakonisht të suksesshme Versace.

Versace u bë i njohur botërisht për krijimet magjepsëse, për kostumet spektakolare teatrale dhe dizajnin inovativ të veshjeve për meshkuj dhe femra. Stili i Versace paraqiste kombinimin e klasicizmit luksoz dhe sensualitetit në fustane. Fushatat e tij të bujshme reklamuese shfaqën supermodele si Linda Evangelista dhe Naomi Campbell. I pandalshëm dhe shumë i guximshëm, Versace frymëzoi gjeneratat e ndryshme, me vetëbesimin që posedonte.

Ajo çka i mbajti të apasionuar me vite adhuruesit e artit të tij ishte thënia e famshme e Giannit: “Unë nuk besoj në shijen e mirë”, gjithmonë në pritje të impresionohemi.

Në më pak se njëzet vjet ai kishte krijuar një kompani ndërkombëtare që e vendosi Italinë në hartën e modës dhe krijoi një reputacion të pakrahasueshëm për luksin dhe magjepsjen.

Përpjekja e pamasë dhe përkushtimi i veçantë i Versace ndaj modës rezultoi në arritje të rëndësishme. I shthurur dhe energjik, ai krijoi aleanca me marka të ndryshme për materiale dhe koncepte që donte t’i përçonte përmes veshjeve. Ajo çka i veçoi koleksionet e tij ishte kombinimi i veshjeve të shkëlqyera, që ishte një kundërshtim total ndaj rregullave të modës asokohe.

Veshjet e Versace u krijuan për super të pasurit, por ndikimi i tij u ndje në një pjesë më të gjerë të shoqërisë. Stilistikisht të arritshme dhe të dallueshme në çast, modelet e patrembura të Versace erdhën për të mbetur gjithmonë në kujtesën tonë në vitet 1980 dhe 1990.

Richard Martin, ish drejtori i Muzeut Metropolitan të Artit të New York-ut, njëherë shkroi:

“Veshjet e tij për meshkuj ishin vërtet revolucionare. Ai u bë flamurtari i modës së personave gay, sepse i shmangej dekorit, dhe projektoi për dëshirë’.

Duke praktikuar rrobaqepësinë profesionale me materiale inovative, Versace prodhoi veshje që nuk mund të injoroheshin.

Fustanet e qepura me dorë dhe seksi janë simbolet e Versace, por atij i pëlqente gjithashtu të kompozonte fustane për ballo tradicionale me funde të plota, të cilat atë kohë shfaqnin më së miri talentin e një dizajneri debutues.

Koleksioni më i njohur i Versace, ‘Atelier’, i lansuar në vitin 1989, u nxit nga dëshira për të dominuar.

Minifustanet dhe kostumet e ngushta ishin të qëndisura me kujdes në një mori detajesh, me diamante dhe fije metalike. Por ajo që e bëri të identifikueshëm këtë koleksion ishte një seri fustanesh të zeza. Të thjeshta në pjesën e përparme, me dekolte të hapur dhe funde të çara në pjesën e pasme, ato dukeshin perfekt në trupat e modeleve.

Porositë e para publike që Gianni mori ishin për të krijuar kostume për teatër dhe balet. Disa nga veprat më të njohura të Versace u krijuan për koreografin Maurice Béjart. Krijimet plotësuan kërkesat e koreografit dhe ofruan një narrativë vizuale më dinamike. Versace u frymëzua nga mjeshtërit e mëdhenj të dramës së modës, Christian Dior, Cristobal Balenciaga dhe Schiaparelli, për kostumet e tij të teatrit.

Donatella

Donatella Versace është përshkruar si muza e Gianni Versace dhe ai i referohej motrës së tij si ‘gruaja më perfekte në jetën e tij’.

Kontributi i saj kritik dhe artistik në industrinë Versace ishte i pashmangshëm. Donatella iu bashkua kompanisë familjare në fillim të viteve 1980 dhe u bë përgjegjëse për aksesorët dhe për linjën e orientuar nga të rinjtë ‘Versus’. Ajo u bë drejtore artistike pas vdekjes së Gianni Versace, në 1997.

Donatella solli një avantazh më të ri për Versace, i cili plotësoi klasicizmin e Gianni-t. “Më pëlqen të luaj me pushtetin kur bëj rroba, të luaj me fuqinë dhe të argëtohem”, tha ajo.

Versace, në vitin 1983 dhe 1988 fitoi çmimin Cutting Sark për “dizajnerin më inovativ dhe kreativ në botë” të veshjeve për meshkuj.

Në vitin 1993, marka mori Oscar-in e parë të modës amerikane nga ‘Këshilli i Dizajnuesve të Modës së Amerikës’.

Versace vazhdon të mbetet unike dhe sot. Ajo sot prezantohet nga ambasadorja e saj Dua Lipa.