N’Kosovë
17 Tetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
I dashur lexues, çfarë nëse çdo pritje e gjatë është një përgatitje për bekimin e radhës që do të jetë pjesë e jetës tuaj? Të fortë mjaftueshëm për punën e re, të pjekur mjaftueshëm për fëmijët tuaj dhe familjen që do të keni.
Hajde… çfarë ndodhi këtë të mërkurë në Kosovë?
Natyrisht që ditëlindjet duhet të festohen! Por, a nuk është paksa e çuditshme kur gjithçka po “digjet” dhe protagonistët kryesorë zgjedhin injorancën, duke vazhduar të kënaqen në festë?
Dhe prap, në orbitën e aferave, e cila u titullua luftë hibride, u zgjodh ëmbëlsira e mbuluar me “marcipan” për të ngritur dolli, me rastin e ditëlindjes së kryeshefes së deputetëve nga LVV, Mimoza Kusari Lila.
Një fakt që tregon se gjërat po ndryshojnë dhe gjeneratat po ndërrohen me shpejtësi, është edhe vdekja e njerëzve që kanë qenë dëshmitarë të procesit të luftës në Kosovë dhe të Kosovës së pasluftës.
Dje ndërroi jetë ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Tina Kaidanow.
Kaidanow ka qenë ambasadorja e parë e SHBA-ve në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
A është “shuarja” e personaliteteve të tilla humbje për historinë e Kosovës?
Si ka mundësi që RTK të mos transmetojë seancën e jashtëzakonshme në kanalin e saj kryesor?
A nuk i intereson Kurtit për “nismat” e një opozite të tillë, të cilën ai e mban “në kurriz”? Pse duhet të interesohet tani, duke ndaluar transmetimin e një seance si ajo e djeshmja e Kuvendit të Republikës së Kosovës?
Deputetët e VV-së nuk morën pjesë as dje (të mërkurën) në seancën e jashtëzakonshme, të cilën e kishte thirrur PDK-ja, ku u diskutua për faljen e kundërligjshme të borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit nga Qeveria Kurti, dhe për komunikimet mes Dejona Mihalit dhe ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Ani pse, në aspektin politik dhe shtetëror, shumë gjëra “po shkojnë llugë”, kultura dhe arti po shkëlqejnë, duke sjellë aktivitete që mbajnë gjallë edhe gjatë ditëve të punës, edhe në fundjavë.
Ja çfarë po organizohet këto ditë dhe që mund të jetë aktivitet sugjerues për ju:
Në kuadër të “Javës së Gjuhës Italiane në Kosovë”, ju do të keni mundësinë të ndiqni filma italianë në Kino Armatë. Për një “qoshe” të re të artit urban, mund të vizitoni Galerinë BOX 01 – Prishtina Graffiti Shop.
Më e bukura në këtë jetë është kur ju, lexues i dashur, jeni të vetëdijshëm për të mirat dhe bekimet që posedoni në këtë jetë. Bekimet, të vogla apo me peshë të madhe, çdoherë do të “ri-gdhendin” zemrën tuaj nga plagët e së kaluarës.