Live Stories from Prishtina

LIVE

July 18, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Ndihemi të mahnitur nga pamja që na dhurojnë yjet gjatë natës.

Shkëlqimi i tyre na bënë të besojmë se të gjithë e kemi nga një yll lart, i cili na takon neve dhe vetëm neve. Mirëpo, yjet nuk janë vetëm grumbuj të koleksionuar në galaktikë, ata janë më shumë se aq për njerëzit që iu kushtojnë shumë rëndësi detajeve, dritës dhe shkëlqimit.

Për njerëzit që besojnë se secili muaj i vitit përshkruan personalitetin e tyre bazuar në yjësi, ne ju njoftojmë me astrologjinë.

Astrologjia është parashikimi që konsiston në interpretimin dhe ndikimin e yjeve dhe planeteve në fatet njerëzore.

Por, nga daton historia e vërtetë e astrologjisë? Si ka rrjedhë nevoja për krijimin e një besimi të tillë? Çfarë ndikimi ka astrologjia në jetën tonë?

Babilonia është vendi ku u zhvillua forma e parë e astrologjisë, 3 mijë vjet para erës së re. Më pas, ajo u përhapë në Mesdheun lindor, kryesisht në Egjipt, i cili atëherë drejtohej nga një dinasti greke. Babilonasit e ndanë atë bazuar në 12 muajt e kalendarit të vitit, me qëllim që secila shenjë t’i takojë një muaji.

Të kuptuarit e pozicioneve të yjeve në hapësirë është një dhunti që vetëm astrologët e kuptojnë. Horoskopi i referohet interpretimit të një astrologu, i cili bazohet në sistemin e astrologjisë së shenjave të diellit, bazuar në pozicionin e Diellit në momentin e lindjes, ose në rëndësinë kalendarike të një ngjarje, si në astrologjinë kineze.

Pasi që nuk njihet shkencëtarisht, NASA ka dhënë një shpjegim për rrjedhën e 12 shenjave që i njohim sot.

“Imagjinoni një vijë të drejtë që shkon nga Toka në drejtim të Diellit, pastaj imagjinojeni Tokën e cila përshkon orbitën e saj rreth Diellit. Kjo vijë imagjinare do të rrotullohet, duke ju drejtuar yjeve të saj përgjatë një viti. Këto yje besohet të jenë 12 shenjat e horoskopit të cilat sot i njohin të gjithë, por nuk ju besojnë të gjithë”.

Cilat janë 12 shenjat e horoskopit?

Horoskopi, term i cili në greqisht ka kuptimin e vështrimit dhe observimit, rrodhi si nevojë për të shikuar orën apo kohën e lindjes së një personi për t’i përshtatur më pas me shenjë. Ndërsa fjala angleze ‘zodiak’ në latinisht do të thotë ‘rrethi i kafshëve të vogla’.

Gjatë periudhës së Greqisë së lashtë ishin 12 shenja yjore të horoskopit të cilat njerëzit i njohin sot: Dashi (21 Mars-19 Prill), Demi (20 Prill-20 Maj), Binjakët (21 Maj-20 Qershor), Gaforrja (21 qershor-22 korrik), Luani (23 korrik-22 gusht), Virgjëresha (23 gusht-22 shtator), Peshorja (23 shtator-22 tetor), Akrepi (23 tetor-22 nëntor 21), Shigjetari (22 nëntor-21 dhjetor), Bricjapi (22 dhjetor-19 janar), Ujori (20 janar-18 shkurt) dhe Peshqit (19 shkurt-20 mars). Këto shenja u emëruan sipas yjësive dhe u përputhën me datat bazuar në vendosjen e tyre në qiell dhe diell.

E gjithë ideja për ekzistencën e 12 shenjave, erdhi si rezultat kur hapësira prej 360 shkallëve u nda me nga 30 shkallë për secilën prej shenjave, kjo në mënyrë që të konsistonte në mënyra të barabarta për secilin prej shenjave (360/12=30), ku dielli lëvizte nëpër këto shenja rregullisht gjatë vitit.

Edhe pse sot i njohim 12 shenja, dikur ato u zbuluan një nga një. Peshqit thuhet se janë shenja e parë që u zbulua, teksa shenja më e rrallë që e hasim, është Ujori.

Por, çfarë thuhet për horoskopin sipas religjioneve?

Sipas krishterëve dhe myslimanëve, njerëzit duhet të kenë besim dhe të adhurojnë vetëm Zotin dhe asgjë tjetër.

Edhe pse përgjigjjet që na jep astrologjia nuk janë të bazuara në shkencë, arsyeja pse njerëzit prapë i kthehen qiellit për kërkimin e pikëpyetjeve tona, ka të bëjë me diçka reale. Një fenomen psikologjik, që i bënë thirrje natyrës njerëzore për vetreflektim, si dhe kërkimi për interpretimet të cilat ne njerëzit thellë-thellë shpresojmë të jenë të vërteta.