Dje n’Kosovë
19 Nëntor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Për ata që janë në pritje të një sezoni të ri në jetën e tyre: ju e dini që ato ditë po vijnë dhe do t’ju sjellin gjithçka që ju nevojitet. Nganjëherë, ajo ku përfundojmë është më mirë se ajo që shpresonim të na ndodhte.
Çfarë ndodhi dje në Kosovë, zog i hershëm? Më lejo t’i sjell për ty në pika të shkurtra; ndoshta do të sjellë në mend diçka që nuk e ke parë në këtë mënyrë.
Ndërmjet sfidave dhe vuajtjeve, vetëm fitorja sportive triumfoi dje. Kosova fitoi 1-0 kundër Lituanisë.
Të tjera informacione lidhen kryesisht me përditshmërinë politike, rezultatet e së cilës i ndjejmë gjithmonë më vonë.
Tepihu u përgatit mirë për të pritur në periferi të Prishtinës kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, me të cilin Kosova nënshkroi dje marrëveshje në fushën e energjisë dhe arsimit, si dhe një protokoll teknik për lehtësimin e lëvizjes së lirë ndërmjet dy vendeve.
Ndërkohë, Kryeministri Kurti hyri në një çështje të debatueshme duke folur për gjuhët zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Ai deklaroi se “s’mund të thuhet se gjuha shqipe ka qenë gjuhë zyrtare dhe se tash po rrezikohet.” Gjithashtu, ai shprehu besimin se Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut duhet të marrë një vendim të drejtë për Ligjin për Gjuhët.
A i besoni Gjykatës së Maqedonisë së Veriut ndërkohë që Gjykatës së Kosovës jo?
Meqenëse përmendet çështja e doracakëve, zëvendësministri i atëhershëm i Arsimit, Jusuf Thaçi, deklaroi se ministrja Hykmete Bajrami ishte ajo që denoncoi projektin, informoi Besnik Bislimin dhe vetë Albin Kurtin. Thaçi tha se Bajrami i “shpëtoi” buxhetit rreth 5 milionë euro duke ndaluar një projekt “të kotë”.
A po mbetet faji te qeveria e mëparshme tani?
Konferenca e Sigurisë, e organizuar nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë, u hap të hënën me pamjet e sulmit serb në Banjskë të Zveçanit. Në hyrje u shfaqën edhe pamje të dhunës së protestuesve serbë në veri të Kosovës gjatë vitit të kaluar.
Ndër panelistët e ditës së parë ishte edhe ish-përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Ajo tha se nuk pret që me Trumpin të ndryshojë politika e SHBA-së në Evropë.
Sot në Paper Gallery, hapet ekspozita nga ora 18:00 “Living Thread”, ku artistja Hana Zeqa paraqet punën e saj eksperimentale në industrinë e modës duke përdorur materiale të qëndrueshme si bio-tekstilet, bio-plastikat dhe teknologjinë e printimit 3D. Ajo eksploron alternativa të reja për materialet sintetike dhe jo të biodegradueshme, duke sfiduar qasjet tradicionale ndaj dizajnit dhe prodhimit të veshjeve.
Hana synon të ofrojë një qasje rrethore dhe rigjeneruese në modë. Eja në Paper dhe shijo këtë ekspozitë!
Kur ecim drejt së ardhmes me kurajo dhe imagjinatë, edhe pengesat shndërrohen në ura që na lidhin me mundësi të reja