Dje n’Kosovë
5 Nëntor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
“I dashur lexues, kam nevojë ta kujtosh këtë sot: kujdesu për të tjerët, por mos mbaj barrë në supe, sepse ke së pari shpirtin tënd që duhet ta ruash. Nuk mund t’i rregullosh gjërat për dikë tjetër kur te vetë ata nuk ekziston vullneti!”
***
Në Kosovë ka kohë që nuk janë ndërtuar ura që e lehtësojnë funksionimin. “As me këmbë, as pa këmbë”.
Do të doja që mëngjesin tuaj t’ua filloja me ndonjë lajm për ndërtimin e urave, për fillime të reja, për një sukses të korrur, për një sfidë të mbaruar. Por jo, sot JO. Sot kemi vendosur të mbetemi tek zakonet e vjetra: mungesa, zhgënjimi dhe dramat politike.
Një vajzë 9-vjeçare në Pejë dhe një 14-vjeçare në Prishtinë dyshohet se janë dhunuar të dielën. Në lajme të tilla, nuk duhet të ekzistojë as mundësia që t’u jepet hapësirë për diskutim “shkaqeve”, nëse një gjë e tillë vetëm se ka ndodhur. Një cikël i pandalshëm apo çfarë është ky? Një dështim shoqëror që, vetëm sepse janë raste që ndodhin në gjithë botën, nuk nënkupton që duhet të normalizohet situata me terma si “raste që ndodhin” edhe në vendin tonë.
A ekziston burgu i përjetshëm për këto qenie?
***
Partitë opozitare nuk kanë votë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Projektligji i miratuar nga qeveria javën e shkuar do të shqyrtohet edhe në Kuvend. Si e sheh opozita projeksionin e buxhetit të kësaj qeverie, kur, me ose pa ta, qeveria e ka shumicën parlamentare në votime të thjeshta, dhe ia del të miratojë ligje dhe vendime?
Buxheti për vitin e ardhshëm pritet të jetë mbi 3 miliardë euro, apo 9% më i lartë se ai i sivjetmi!
A është ky buxheti i Kosovës që mund të bëjë më mirë, i Kosovës për një mirëqenie stabile? A do të shfrytëzohet si duhet?
***
Lexues i dashur, PDK dhe LDK gjatë do të presin nëse mendojnë se seancat e jashtëzakonshme thirren për të na treguar neve nga televizioni se si RTK-ja qenka e kapur nga pushteti!
***
Edhe pas stuhisë më të rëndë, dielli gjithmonë del përsëri