Arkiva
1 Prill, 2024
Fillimpranvera e vitit 2024 nis ndryshe me Paper Gallery. Gama e interpretimeve emocionale në atë artistike do të ju shpie në një Open Studio-Studio të Hapur, e cila ka filluar punën që nga 27 marsi dhe do të vazhdojë deri më 9 maj.
Për adhuruesit e artit dhe detajistat e lindur, kjo studio e hapur, ju ofron mundësinë për të përcjellur procesin e realizimit të punimeve të dy artistve; Valdrin Thaqi dhe Blerta Hashani “nga A-ja deri tek ZH-ja”
Vullnet Jakupi, koordinator në Paper Gallery, i ftuar tek emisioni “Where to next” me Adea Grezdën, ka treguar detajet e deri tek lindja e idesë për Open Studion e dytë në Paper.
“Për dallim prej ekspozitave të tjera, kjo është hera e dytë që Paper Gallery organizon Open Studio. Për me qenë më i qartë me dëgjuesit se çka është studio e hapur brenda një galerie: është kur hapësira e galerisë e merr formën e studios ku punojnë artistat“, ka thënë Jakupi.
Në nëntor të vitit 2022, për një muaj e 24 ditë, artistët Arbnor Karaliti, Lumturie Krasniqi dhe Yll Xhaferi së bashku me Prishtina Biennale dhe Paper Gallery punuan në studio të hapur, ku më vonë punimet e tyre u prezantuan në ekspozitën “Daily Archived”. Kjo ishte hera e parë e një studioje të hapur në Paper Gallery.
“Hapësira intime e artistëve”, sipas Vullnet Jakupit ka këtë kuptim për audiencën.
“Për artistat, atelie ose studio është hapësira shumë intime e punës së tyre, se të gjithë e kemi atë idenë që jemi vetëm edhe je tu e shkri veten në punimet personale, mirëpo çka ndodh në këtë rast, një studio e hapur është e hapur për publikun. Publiku mundet me ardh në Paper, dyert janë të hapura për me ardh edhe me i vizitu këta artista. Çka nënkupton kjo? gjatë këtyre datave ne mundemi me pa qysh fillon një ide me u mendu, me u grumbullu materialet fizikisht, në sensin e asaj që varësisht në çfarë mediumi punojnë artistat. Mandej se si materializohet apo krijohet krejt puna finale, pra në këtë rast ne e kemi të qasshme idenë se si inicohen një punim artistik, a kemi të bëjmë me artin konceptual, me mediumin e pikturës apo mix-median kjo mbetet te kuptohet prej praktikës se artistit”, shtoi koordinatori i Paper Gallery.
Por kush janë Valdrini dhe Blerta? Çka do të prezantojnë në Paper Gallery?
Duke ju drejtuar në mënyrë shumë shoqërore Vullneti, tregon për background-in artisitk të dy artistëve. Ndërsa faktin se çka do të prezantojnë me punën e tyre mbi 1 muaj e la si enigmë.
“Valdrini-punimet e tij më shumë kanë të bëjnë me mediumin e pikturës, instalacionit, skulpturës sa i përket koncepteve ai lun më shumë me zbrastinë emocionale, janë tema më sensitive që mundesh me i bashkëndje në momentin që e sheh punimin. Mirëpo në këtë rast Valdrini ka vendos me punu për diçka tjetër, që kemi me pas mundësin me pa prej pikës A deri në pikën ZH në open studio.
Kur flasim për Blertën, ajo e ka një stil minimalistik, perveç se ne jemi mësu me pa gjithmonë një pëlhurë e cila është e përpunune e bardhë dhe vendoset ngjyra në të deri sa të krijohet një imazh, Blerta e përdor pëlhurën e papërpunune. Për ta mësu çka është mundeni me ardh me pa në open studio”, tha Jakupi.
Ndërsa faktin që Thaqi dhe Hashani, kanë për të punuar në Paper Gallery e përshkruan si privilegj.
“Me i pas dy artista të ri të cilët përdorin mediume qoftë të pjesës klasike dhe që e kanë një miks të ndërthurur me bashkëkohoren, është interesante. Ato rezultatet finale që i shohim me kuptu prej nga kanë rrjedh, sepse arti në shumicën e rasteve është shumë emocional dhe bazohet mbi përvojat personale që mandej reflektojnë dhe përkthehen në punim artistik”, përfundon Jakupi.
Një historik i shkurtër rreth Valdrin Thaqit.
I lindur në vitin 1994 në Skënderaj të Kosovës, Valdrin Thaqi ka diplomuar në Departamentin e Arteve Pamore në Universitetin e Prishtinës në vitin 2019. Ai jeton dhe punon ndërmjet Berlinit dhe Prishtinës.
Praktika artistike e Thaqit përfshinë pikturën dhe instalimin. Puna e tij është një pasqyrim i kërkimeve të thella filozofike, duke eksploruar ndërlikimet e natyrshme në proceset, gjendjet dhe ngjarjet e vëzhguara në jetën e përditshme.
E rrënjosur në analizën e realitetit shoqëror, vepra e tij shërben si një katalizator për të vënë në dyshim ekzistencën dhe aspektet e panumërta të përvojës njerëzore. Nostalgjia dhe malli përshkojnë kanavacën e pikturave të tij, çdo goditje nxit mendimin dhe provokon meditim.
Skenat përshkruajnë mjegullimin dhe zbehjen, duke pasqyruar natyrën kalimtare të botës së vëzhguar, ndërsa protagonistët brenda veprës së tij janë aktorë të pakapshëm, të munguar, të cilët nuk kanë një kontroll të ndërgjegjshëm mbi rrethanat e tyre. Ai me qëllim minon një lexim të drejtpërdrejtë, të paqartë në veprën e tij, duke gërshetuar në to kuptime kontradiktore.
Në thelb të ndjekjes së tij artistike qëndron një kërkim në natyrën e pasigurtë të frikës dhe brishtësisë njerëzore, duke kapur ndërveprimin e ndërlikuar të emocioneve dhe impulseve.
Një historik i shkurtër rreth Blerta Hashanit
Blerta Hashani (1997, RKS) është artiste nga Kosova, e cila përdor mediumin e pikturës dhe vizatimit për të eksploruar më në thellësi konceptet e mistikës dhe simbolikës.
Puna e saj në pikturë konsolidon dhe reflekton rutinën, mjedisin që e rrethon dhe ndjesitë e zakonshme. Secili impuls i marrë prej botës së jashtme vjen në formë primordiale dhe transmetohet në punën e saj artistike, në mënyrë minimaliste.
Estetikisht, punimet e Hashanit paraqesin harmoni, barazpeshë dhe kërkim të thellë për të përbrendësuar të përditshmen në linja konceptuale. Në këtë proces, ajo përdor hulumtimin e rudimentaes për të shenjuar atë çka është instiktive dhe e kontrollueshme, e njëkohësisht duke zbuluar më tej natyrën e shumështresuar të simbolikes dhe sublimes.