Live Stories from Prishtina

LIVE

March 2, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Një ndër gjërat që na mbush me jetë, që na dhuron emocion dhe që na frymëzon janë padyshim ngjyrat.

Është inspiruese se si vetëm një shikim nga dritarja në një pjesë të gjelbër për disa minuta mund të ndikojë në përmirësimin e gjendjes tonë mentale, apo edhe emocionale, e cila mund të na qetësojë ose të na ndihmojë të ripërqendrohemi, apo edhe në anën tjetër se si rrobat me ngjyra të ndritshme mund të na japin energji në një ditë të zymtë me shi. Ngjyrat mund të lëkundin mënyrën e të menduarit, të ndryshojnë veprime dhe të shkaktojnë edhe reagime. Mund t’iu irritojnë ose t’iu qetësojnë sytë, të rrisin presionin e gjakut ose të largojnë oreksin tuaj. Rrjedhimisht, përdorimi i tyre në mënyrat e duhura mund të kursejnë edhe konsumin e energjisë.

Nëse nuk keni shumë njohuri për ngjyrat, do të keni vështirësi të bëheni një dizajner profesionist logoje. Është thelbësore që dizajnerët të kuptojnë gjërat thelbësore rreth ngjyrës dhe ndikimit të saj në dizajn. Mungesa e të kuptuarit mund të rezultojë në kombinime ngjyrash të panevojshme dhe të tepërta, të cilat mund t’iu etiketojnë si një dizajner amator. Si dizajner grafik është esenciale të studioni, të hulumtoni dhe të gjeni mënyrat e përdorimit të ngjyrës për të sjellë në jetë modelet tuaja.

Në vijim, do t’iu prezantojmë me disa nga ngjyrat themelore, duke u fokusuar tek ndikimi dhe rëndësia që ato posedojnë në krijimin e një logoje.

Ngjyra e zezë mund të jetë një ndër ngjyrat më të përdorura, kjo edhe për shkak të autoritetit që ajo shfaqë. E zeza përfaqëson autoritetin, fuqinë, misterin, guximin, elegancën dhe arsyetimin.
Por, ku gjen përdorim e zeza? Nëse ju keni për qëllim të synoni një audiencë të re dhe që preferencat e tyre janë më klasike, mund të themi se e zeza është e duhura.

Ngjyra e kuqe përfaqëson pasionin, dashurinë, zemërimin, urinë, shëndetin, eksitimin dhe jetën. Si një ngjyrë tërheqëse, energjike dhe e fuqishme, e kuqja ndër vite është përdorur në logot e markave që i përkasin industrive të ushqimit, shëndetit, bukurisë dhe argëtimit. Disa brende të famshme të cilat identifikohen me logo të kuqe janë Coca-Cola, Kellogg’s, Red Bull, Canon, KFC, YouTube, etj. Këto logo të brendeve janë padyshim të paharrueshme dhe të pakrahasueshme.

Nëse ju zotëroni një brend, atëherë duhet të jeni në dijeni për tre indikatorët që ngjyrat prezantojnë dhe se si perceptohen nga audienca. Së pari, të preferojnë brendin tuaj për dallim nga brendet tjera, pastaj të kujtojnë brendin tuaj për vitet në vijim dhe si përfundim të lidhen me brendin tuaj në një nivel personal.

Ngjyra e verdhë përfaqëson lumturinë, ngrohtësinë, inovacionin dhe kujdesin. E verdha është një ngjyrë e ngrohtë që ngjall ndjenjën e lumturisë, ngrohtësisë dhe relaksimit. Në përgjithësi, nuk luan rol qendror por përdoret me kursim për të theksuar veçoritë e rëndësishme të një logoje. E përdorur vetëm në nuanca të ndezura, ngjyra mund të jetë mbresëlënëse dhe kjo është arsyeja pse është një ngjyrë e vështirë për t’u përdorur. E verdha përdoret më së shpeshti nga industria e automobilave dhe ushqimit.

Ngjyra e kaltër përfaqëson profesionalizmin, besimin, autoritetin, fuqinë dhe besnikërinë. Ajo zakonisht përdoret në logot e korporatave pasi krijon një ndjenjë sigurie duke treguar besnikëri dhe profesionalizëm. Kjo ngjyrë përdoret nga biznese të ndryshme që lidhen me financa, industri farmaceutike, qeveri dhe banka.

Ngjyra e gjelbër përfaqëson harmoninë, natyrën dhe shëndetin. E gjelbërta përdoret kryesisht për të përfaqësuar kompanitë ose bizneset rreth bujqësisë, riciklimit, peizazhit, kopshtarisë dhe energjisë diellore. Është ngjyra e natyrës dhe jep një efekt qetësues, e cila përfaqëson rritjen.

Ngjyra e bardhë përfaqëson pastërtinë, paqen, gjendjen shpirtërore dhe vullnetin e mirë. E bardha është një ngjyrë neutrale që nënkupton pastërti. Është gjithashtu ngjyra thelbësore në logot e ndarjes negative. FedEx dhe Adobe e kanë prezantuar më së miri të bardhën.

Ngjyra kafe përfaqëson aurën e besueshme, e në anën tjetër tregon ngurtësi dhe identifikohet ndryshe si ngjyrë e tokës. Disa produkte të lidhura me ushqimin si kafeja dhe çokollata përfaqësohen gjithashtu më së miri me ngjyrë kafe.

Po e përmbyllim me ngjyrën vjollcë, e cila përfaqëson mbretërinë, luksin, festën, edukimin dhe elegancën. Duke qenë një ngjyrë e familjes mbretërore, e vjollca përdoret kryesisht për të përfaqësuar institutet fetare dhe organizatat arsimore. Përdoret rrallë për shërbime komerciale, përveç nëse mund të përfaqësojë qartë thelbin kryesor të kompanisë për të cilën përfaqëson. Çokollata është një ushqim i cili shpesh përfaqësohet nga logot e ngjyrës vjollcë.